Një ditë pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka një mesazh falenderimi për punonjësit e tij. Ai u ka dërguar një mesazh ku shpreh falenderimet e tij për bashkëpunimin mbi 2-vjeçar dhe kërkon njesë që po e ndërpret punën në mes.
“Faleminderit dhe ndjesë që po e lë këtë rrugëtim në mes, por sinqerisht, për mua ka qenë privilegj & kënaqësi t’ju shërbej, edhe pse jo të gjithëve kam arrit t’jua zgjidh hallet! Duke ju uruar më të mirën juve dhe familjeve tuaja, me shumë respekt, Ermali“, thuhet në mesazhin e dërguar.

Kryebashkiaku Dredha ka dhënë dorëheqjen gjatë paradites së djeshme, 10 shtator. Arsyet e dorëheqjes së Ermal Dredhës nuk dihen ende, por mësohet se në vend të tij është emëruar Erlis Halili.
Dredha e mori këtë detyrë më 3 korrik 2023 Muajt e fundit, ai u gjend përballë një sërë kritikash sa i takon zjarrit te landfilli i mbetjeve në Vlorë dhe problemet me furnizimin me ujë të pijshëm në qytetin bregdetar.
Kujtojmë se më herët, Dredha ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa ka shërbyer edhe si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Bari, Itali.