Aktualisht, Shqipëria vijon të ruajë një avantazh konkurrues për sa u përket çmimeve të një vakti të zakonshëm në restorant.
Të dhënat zyrtare nga Eurostat për vitin 2024 tregojnë se Shqipëria është vendi i dytë më i lirë në Europë për çmimet në restorante dhe hotele, me kosto sa gjysma e mesatares europiane (52.3% e mesatares së BE-së).
Ky indeks mat nivelin e çmimeve krahasuar me mesataren europiane, e cila është vendosur në 100%. Vetëm Maqedonia e Veriut, me një indeks prej 49.5, është më e lirë se Shqipëria në këtë kategori.
Kjo do të thotë se ushqimi në restorante dhe akomodimi në Shqipëri kushtojnë gati 50% më pak se mesatarja e vendeve të BE-së. Shqipëria është më e lirë se vende të rajonit si Turqia (68.9), Rumania (68.5) apo Bullgaria (53.2) – dhe shumë më e lirë se shtete si Italia (106.9), Franca (110.0) apo Gjermania (112.1).
Përveç të dhënave zyrtare nga Eurostat, edhe platforma ndërkombëtare Numbeo konfirmon se Tirana është një nga qytetet më të lira në Europë për të ngrënë jashtë. Sipas Numbeo-s, një vakt i thjeshtë për një person kushton mesatarisht 9 euro, ndërsa një darkë për dy persona, në një restorant me çmim mesatar është rreth 22.50 euro. Këto çmime janë dukshëm më të ulëta krahasuar me qytete si Roma (15€/33€), Athina (15€/27€) apo Parisi (15€/31€) – pa përmendur kryeqytete si Stokholmi ku një darkë e ngjashme kap 51 euro.
Në këtë kontekst, të dhënat nga Eurostat dhe Numbeo plotësojnë njëra-tjetrën, Shqipëria jo vetëm që renditet e dyta më e lirë në Europë për restorante e hotele, por ofron gjithashtu një raport cilësi–çmim shumë konkurrues, veçanërisht për turistët nga Europa Perëndimore që në vendin e tyre do të paguanin dyfish për të njëjtën përvojë./Monitor