Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, detajoi akuzat ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe bashkëpunëtorëve të tyre, shumica biznesmenë. Sipas Lalës, Veliaj ka më shumë akuza dhe bashkë me gruan akuzohen nga prokuroria se kanë qarkulluar shumë para cash.
“Është përfunduar hetimi për Veliajn dhe personat e tjerë dhe është gjyqtarja Etleva Deda, e cila ushtron funksionin e gjyqtares që kur janë themeluar Krimet e Rënda. Veliaj kërkon zbutjen e masës se hetimi është mbyllur, se nuk intimidon dëshmitarët dhe nuk ka pushtet politik.
Janë 30 të pandehur, individë dhe 12 shoqëri. Numrin më të lartë e ka zoti Veliaj, janë 13 akuza ndaj tij. Akuza e shtuar është ajo e “shpërdorimit të detyrës” që zoti Veliaj ka dhënë për një pallat shumëkatësh ku ka interesa Ajola Xoxa. Janë shumë bashkëpunëtorë dhe familjarë të zonjës Xoxa që janë marrë të pandehur. Veç biznesmenëve u shtua edhe ish-deputetja Klotilda Bushka.
Sipas SPAK, çifti Xoxa-Veliaj kanë përfituar para, Veliaj ka qarkulluar fonde për llogari të kompanive dhe OJF e Xoxës. Kompanitë e Xoxës dhe “Rametal” e Elman Abules janë përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale. Prokurorët pretendojnë se çifti Xoxa-Veliaj qarkullonin shumë para cash.
Veliaj i ka kundërshtuar këto përmes avokatëve dhe pretendon se s’ka asnjë provë kundër tij, ka patur dhunim gjatë shoqërimit në spital, nuk është lejuar të takojë avokatët e huaj etj”- tha Lala.