Sot, më 13 shtator ka nisur periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, ndërsa përfundon më 12 tetor, në orën 06:59.
Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore të premten në ora 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa sot vazhdojnë partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, etj.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator ka konfirmuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.
“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, është bërë e ditur në njoftim.
Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
KQZ po ashtu ka miratuar përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Do të jenë dy fletëvotime, njëra për zgjedhjen e kryetarit të Komunës dhe tjetra për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendeve Komunale.
Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.
Ndërkaq, për të gjithë ata që mund të kenë dilema për qendrën e votimit, mund ta verifikojnë atë.
KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e qendrës së tyre të votimit.
Për ta bërë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, KQZ ka vënë në dispozicion platformën elektronike: https://qv.kqz-ks.org
“Duke e vizituar këtë faqe, çdo qytetar mund të informohet saktësisht se në cilën qendër mund të votojë më 12 tetor 2025, duke shmangur paqartësitë apo vonesat në ditën e zgjedhjeve. Platforma elektronike e KQZ-së do të jetë e qasshme vazhdimisht, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim./Telegrafi.com