Ish-deputeti demokrat, Enkeljed Alibeaj, në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD, ka analizuar situatën politike në Shqipëri, duke vënë në dukje një “skenë dypolare” mes pushtetit dhe opozitës, të cilën e ka cilësuar si “dy anët e së njëjtës monedhë”.
Kritika ndaj Partisë Demokratike
Alibeaj ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e ndryshimeve reale brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se “një individ, një personazh dhe mendësia me të cilën ai e ka trajtuar partinë si pronë private” nuk kanë ndryshuar.
“Ajo që nuk ka për të ndryshuar është një individ, një personazh dhe mendësia me të cilën ai e ka trajtuar partinë si pronë private,” tha ai.
Sipas tij, kjo ka çuar në kompromise me Reformën Zgjedhore dhe Amnistinë Penale, duke shtuar se PD nuk synon më qeverisjen dhe është “komode në rolin e opozitës së përhershme”.
“Ajo parti nuk synon më qeverisjen. Ndaj, për këtë arsye ajo ndihet komode në të qenit opozitë e përhershme dhe nuk mund të pritet asgjë prej saj. Ai e ka vetë partinë si pronë private. Synoi gjithçka për ta mbajtur për vete, shiti shumë nga aspirata e opozitës me Reformën Zgjedhore apo edhe me pazaret me Amnistinë Penale”, shton ai.
Mbështetje për uljen e numrit të deputetëve
Ish-deputeti ka shprehur mbështetje për idenë e zvogëlimit të numrit të deputetëve, duke e konsideruar si një hap të arsyeshëm për shkak të realitetit demografik dhe territorial të vendit.
Ai theksoi nevojën për një numër përfaqësues deputetësh, duke shtuar se sistemi kushtetues aktual ka eliminuar ndarjen dhe balancimin e pushteteve.
“Edhe territori dhe popullsia jonë kaq është, me thënë të drejtën. 101 apo 99 nuk e di sa do të jetë numri. Pra duhet një numër përfaqësues,” ka thënë ai.
Bashkimi i opozitës dhe zgjedhjet
Lidhur me zgjedhjet e pjesshme lokale, Alibeaj ka theksuar nevojën për krijimin e një “fronti të përbashkët” që të japë sinjale të sinqerta për fillimin e një opozite aktive ndaj qeverisjes.
Ai sqaroi se synimi nuk është thjesht një bashkim numerik i partive, por “një sinjal tek publiku që ata të kuptojnë se kanë një alternativë”.
“Qëllimi nuk është që të bashkohen ca parti politike. Nuk duhet thjesht një bashkim numerik, por një sinjal tek publiku që ata të kuptojnë se kanë një alternativë,” përfundoi ai.
Alibeaj e cilësoi seancën e parë plenare si një përsëritje të legjislaturës së kaluar, pavarësisht procesit zgjedhor, duke e konsideruar sistemin si të ngecur në një “duopol” mes pushtetit dhe opozitës.
Ai shtoi se ndryshimi i vetëm është numri i madh i mandateve që ka aktualisht kryeministri me aleatët, duke i mundësuar kalimin e çdo ligji që kërkon shumicë të kualifikuar.