Duke nisur nga kjo e hënë, kanali kryesor i Radio Televizionit Shqiptar, RTSH 1 HD, do të sjellë për teleshikuesit “Revistën Televizive” të orës 20:00 me një format të ri prezantimi.
Gazetari dhe moderatori Arbër Hitaj, me një karrierë të gjatë televizive, do të përcjellë për audiencën nga e hëna në të premte të rejat më të fundit nga fusha e aktualitetit përmes kronikave, specialeve dhe lidhjeve direkte nga terreni.
Pas 30 minutash dinamikë ngjarjesh nga vendi, rajoni dhe bota, “Revista Televizive” do të pasohet nga “Tema e Ditës”, ku studioja e lajmeve do të mirëpresë të ftuarit e gazetarit Hitaj, të cilët do të shtjellojnë përmes analizës së thelluar ngjarjen më të rëndësishme të ditës, atë për të cilën publiku ka më shumë interes.
“Do të kemi shumë të ftuar. Do të flasim për diplomaci. Do të flasim pa dyshim për politikë. Do të flasim për çështje ekonomike, pra, për tema që lidhen me aktualitetin e ditës. Do të kemi të ftuar të ndryshëm. Do të kemi një larmi. Do të tentojmë, ndoshta edhe në momentet kur të na lejojë koha, të kemi dy të ftuar. U bëj thirrje të gjithë teleshikuesve që të qëndrojnë me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe, pa dyshim, edhe me “Revistën Televizive”. Që nga dita e sotme do të jeni bashkë me mua deri ditën e premte”, tha moderatori Hitaj.
“Tema e ditës” do të mundësojë që informacioni i përcjellë me herët nga gazetarët e lajmeve të kthehet në debat, duke u ofruar shikuesve një panoramë më të qartë mbi dimensionet e fenomeneve të ndryshme, ku përparësi u jepet fakteve për të ndriçuar realitetin. RTSH