Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën 29 shtator, ora 12:00, për zhvillimin e seancës paraprake ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë në këtë çështje.
Gjyqtarja Etleva Deda do të shqyrtojë në këtë fazë të procedurës penale pranueshmërinë e akuzave të ngritura nga SPAK. Veliaj akuzohet për pesë vepra penale, të cilat do të bëhen publike gjatë seancës.
Erion Veliaj akuzohet për korrupsion, vepër e kryer 9 herë në bashkëpunim, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim pasurie dhe futjen e sendeve të ndaluara në burg.
Sipas Prokurorisë, Veliaj përdori pushtetin e kryebashkiakut për t’i dhënë fonde gruas së tij, Ajola Xoxa përmes disa shoqërive dhe organizatave jo fitimprurëse.
Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë me 2 vite e 8 muaj burg
Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar vendimin e GJKKO-së për 2 vite e 8 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Pritet që ai të rikthehet në qeli, pasi i ka mbetur një pjesë e dënimit e pashlyer.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; 2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 7”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Dako u dënua në nëntor të vitit të shkuar me vendim të Shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme. Ai u shpall fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Rasti i parë i shpërdorimit të detyrës ndaj Dakos ka të bëje për lejen e një pallati 7-katësh. Në dosjen e SPAK thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin.
Në dosje thuhet se dokumentacioni i nevojshëm para nisjes së punimeve, përfshi edhe studimin sizmik, është kryer vetëm pasi pallati ishte ndërtuar dhe ishin futur banorët. Rasti i dytë lidhet me tenderin për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila.
Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në përllogaritje, duke e 10-fishuar vlerën.
Sipas SPAK, buxhetit të bashkisë Durrës i është shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekë.







