Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, miratoi me 11 vota pro zyrtarisht këtë të mërkurë nisjen e procedurave për përzgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar data 8 tetor, ndërsa kandidatët duhet të paraqesin në platformën e tyre disa pika kyçe që do të jenë vendimtare në procesin e përzgjedhjes:
Eksperienca në çështje sensitive, sidomos ato që lidhen me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit;
– Aftësitë drejtuese dhe organizative, të domosdoshme për menaxhimin e një strukture të posaçme si SPAK;
– Përvoja në hartimin dhe miratimin e rregulloreve administrative, që sigurojnë funksionimin institucional;
– Eksperienca në çështje me jehonë të lartë publike dhe ndërveprimi me median në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente;
– Aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, me fokus në drejtim efektiv dhe motivim profesional;
– Vizioni strategjik për organizimin dhe funksionimin e SPAK, që garanton një institucion të pavarur dhe efikas;
– Imazhi publik dhe integriteti profesional përgjatë karrierës si prokuror.
– Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe OPDAT.
Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë prokurorët e SPAK, me përjashtim të Altin Dumanit dhe Arben Krajës, të cilët e kanë mbajtur këtë post. 18 prokurorët e tjerë të posaçëm kanë të drejtën e aplikimit. Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë sot u hap procedura e aplikimit dhe të gjithë ata prokurorë që duan të kandidojnë do të duhet të shprehin interesin e tyre deri në datën 8 tetor. Më pas kandidatët pasi të kalojnë edhe një proces vettingu do të merren në pyetje.
Prokurorët e Posaçëm që mund të kandidojnë për kreun e ri të SPAK:
1-Adnan Xholi
2-Anita Jella
3-Alfred Shehu
4-Behar Dibra
5-Bledar Maksuti
6-Doloreza Musabelliu
7-Dorina Bejko
8-Dritan Prençi
9-Edvin Kondili
10-Elida Kaçkini
11-Elvin Gokaj
12-Ened Nakuçi
13-Enkeleda Millonai
14-Klodjan Braho
15-Manjola Kajana
16-Ols Dado
17-Sotir Kllapi
18-Vladimir Mara
Gara për kreun e ri të SPAK, ambasadori gjerman: Procesi të jetë transparent dhe i pandikuar nga jashtë
Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të pandikuar nga jashtë për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme.
Ambasadori Bergner kërkoi që gjyqësori të tregojë në këtë proces që është i pavarur, një kriter kyç i sundimit të ligjit dhe procesit të integrimit të vendit.
Duke vlerësuar rolin e Altin Dumanit, ambasadori Bergner tha se SPAK arriti kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.
“Në vitet e fundit, nën udhëheqjen e Altin Dumanit, SPAK ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Besimi i madh i popullsisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë në punën e SPAK e thekson në mënyrë mbresëlënëse këtë.
Procesi i nisur sot nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të zgjedhur kreun e ardhshëm të SPAK duhet të jetë transparent, i bazuar në meritë dhe i lirë nga ndikimi i jashtëm.
Pavarësia e gjyqësorit, e cila duhet të demonstrohet në procesin e nisur sot, por edhe në veprimet e përditshme të organeve ekzekutive dhe legjislative, është një kriter kyç për Gjermaninë në lidhje me sundimin e ligjit dhe nivelin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim në BE”, u shpreh ambasadori.
Presidenti i PL-së, Ilir Meta, ka bërë sërish kërkesë në GJKKO për lirim nga qelia.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës së ish-Presidentit për zëvendësimin e masës së sigurisë do të mbahet më 19 shtator 2025.
Ndërkohë, GJKKO ka caktuar datën 25 shtator, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së parë paraprake ndaj Ilir Metës dhe katër personave të tjerë të pandehur nga SPAK. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila u përzgjodh përmes shortit elektronik.
Gjyqtarja Irena Gjoka do vendosë nëse çështja do kalojë për gjykim, do kthehet në SPAK për hetime të mëtejshme apo do pushohet.
SPAK ka përfunduar hetimet më 28 korrik, duke i bashkuar tre çështje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Në dosje, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe shtetasit Pirro Xhixho e Ema Çoku akuzohen gjithashtu për pastrim parash dhe korrupsion. Konkretisht, Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në bashkëpunim.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi është me masën “detyrim paraqitje”. Më 8 shtator 2025, Apeli i GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës për lirim, duke lënë në fuqi vendimin e 13 gushtit të Shkallës së Parë, me arsyetimin se lirimi i tij do rrezikonte manipulimin e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.







