Gazetarët nxirren nga Kuvendi, kurse brenda tij futen kartelet që kanë zënë tashmë sallën parlamentare.
Kështu shprehet deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, pas lajmit se Kuvendi po ndërmerr një plan për t’i larguar gazetarët dhe kameramanët nga seancat plenare, duke ua kufizuar ndjeshëm kohën e prezencës në këtë institucion.
“Gazetarët përjashtohen nga Kuvendi, ndërsa kartelet kanë zë e vend brenda sallës parlamentare. Për të mbuluar kapjen e Parlamentit nga Suel Çela dhe trupelat e pushtetit, Edi Rama po kërkon të mbyllë dyert për gazetarët”, shkruan ligjvënësi i selisë blu në postimin e tij të shkurtër në rrjetin social Facebook.
Më herët ishte edhe deputetja tjetër e PD-së, Ina Zhupa, ish-kryetare e Komisionit të Medias, që denoncoi nismën e mazhorancës dhe kryeministrit Rama, duke deklaruar se “do bëjnë gjithçka për të mos e lejuar”.