Florenc Doka është kryebashkiaku i ri i komanduar në Bashkinë e Cërrikut.
Ai u zgjodh nga votat e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në mbledhjen e së mërkurës, që në rend dite pati më herët miratimin e ndërprerjes së parakohshme të mandatit të kryebashkiakut Andi Salla, i propozuar nga kryeministri Edi Rama në postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Po sot, Kryesia e Këshillit Bashkiak të Vlorës vendosi që më datë 22 shtator të thirret Këshilli Bashkiak me rend dite dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, Ermal Dredha, dhe caktimin në krye të institucionit të 1 prej 3 nënkryetarëve: Elis Halili, Irena Toshkallari dhe Klea Lalo.
Sipas diskutimeve paraprake, edhe pse ajo që do të vendosë është vota e këshilltarëve, grupet e Këshillit kanë diskutuar si emrin më potencial Elis Halilin.
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtorin e ri të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH), Ermal Shenën, duke theksuar se ekspertiza e tij është garanci shtesë për përshpejtimin e arritjes së objektivave.
Këshilli i Ministrave e emëroi Ermal Shenën drejtor të përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin më 10 shtator, duke zëvendësuar në këtë detyrë Kastriot Gurrën.
Balluku theksoi rolin kyç që luan ASHSH-ja në realizimin dhe avancimin e projekteve infrastrukturore në të gjithë vendin.
“Ermal Shena është njohës i mirë i sektorit, me një eksperiencë të gjatë dhe të konsoliduar, që përbën një garanci shtesë për përshpejtimin e arritjes së objektivave tona. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin mbetet një nga institucionet më të rëndësishme, me një rol thelbësor në zbatimin dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore në të gjithë vendin”, tha ajo.







