Një pako investimesh prej 150 miliardë paundësh nga Shtetet e Bashkuara u shpall dje, në kuadër të vizitës shtetërore të presidentit Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo është marrëveshja më e madhe e këtij lloji, sipas qeverisë britanike, e cila e cilësoi si një zhvillim historik në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, raporton BBC.
Sipas autoriteteve britanike, marrëveshja pritet të sjellë 7,600 vende të reja pune “me cilësi të lartë” në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Kryeministri Keir Starmer deklaroi se kjo është një dëshmi e përmbushjes së premtimit të tij për “vende pune, rritje dhe mundësi”. Megjithatë, shifra mbetet ende modeste në krahasim me 160 mijë vendet e humbura të punës gjatë vitit të kaluar.
Kjo marrëveshje vjen menjëherë pas një tjetër lajmi të madh nga sektori i teknologjisë, ku gjigandët si Microsoft dhe Google njoftuan investime të reja në miliarda paund për ekonominë britanike, gjithashtu në kuadër të vizitës së Trump.