HomeBotaAvionë luftarakë mbi hapësirën ajrore, çfarë parashikon neni 4 i NATO-s

Avionë luftarakë mbi hapësirën ajrore, çfarë parashikon neni 4 i NATO-s

spot_img

Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelqen të premten e 19 shtatorit hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo për rreth 12 minuta, pa leje. NATO reagoi menjëherë ndaj incidentit, duke ndërhyrë në fluturim, ndërsa një zëdhënës i saj e cilësoi ngjarjen si një tjetër shembull të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë dhe të gatishmërisë së Aleancës për të mbrojtur anëtarët e saj.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, e cilësoi këtë shkelje si një akt të guximshëm dhe provokues, duke theksuar se është hera e katërt që ndodh gjatë këtij viti dhe kërkoi presion më të fortë politik dhe ekonomik ndaj Rusisë.

Por ky nuk është incidenti i vetëm në rajon. Rumania raportoi hyrjen e një droni rus në hapësirën e saj ajrore më herët këtë muaj, ndërsa Polonia përjetoi një shkelje të paprecedentë nga më shumë se një duzinë dronësh rusë. Si pasojë, Polonia ka kërkuar aktivizimin e nenit 4 të Traktatit të NATO-s, që parashikon konsultime mes aleatëve kur kërcënohet siguria e një vendi anëtar. Pas incidentit të djeshëm, edhe Estonia ka bërë të njëjtën gjë. Në varësi të zhvillimeve, kjo mund të çojë në aktivizimin e nenit 5, që e konsideron një sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithëve dhe mund të sjellë ndërhyrje të përbashkët ushtarake nga Aleanca.

Çfarë janë nenet 4 dhe 5 të NATO-s?

Këto dy nene përbëjnë bazën e funksionimit të NATO-s në rast të kërcënimeve ose sulmeve ushtarake: Neni 4 lejon vendet anëtare të kërkojnë konsultime kur kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e njërit prej tyre edhe në mungesë të një sulmi të drejtpërdrejtë.

Neni 5, i njohur si “zemra e NATO-s”, deklaron se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar në Europë apo Amerikën e Veriut do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleancës. Çdo vend anëtar, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë vendin e sulmuar me masa që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake.

Megjithatë, aktivizimi i nenit 5 nuk nënkupton automatikisht hyrje në luftë nga të gjitha vendet anëtare. Çdo shtet ka të drejtën të vendosë në mënyrë sovrane, zakonisht pas miratimit parlamentar, nëse dhe si do të kontribuojë. Ky nen ka qenë aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s, më 11 shtator 2001, pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

NATO, një aleancë në zgjerim

Traktati i Atlantikut të Veriut, i nënshkruar në vitin 1949 në Uashington, përbëhet nga 14 nene. NATO fillimisht u themelua nga 12 shtete: SHBA, Kanadaja, Italia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Belgjika, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Norvegjia dhe Islanda.

Sot, organizata ka 32 vende anëtare, përfshirë Finlandën dhe Suedinë, të cilat u bashkuan pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës, në kërkim të një ombrelle mbrojtjeje kundër kërcënimeve nga Moska.

Qëllimi fillestar i NATO-s ishte të frenonte ambiciet ekspansioniste të Bashkimit Sovjetik dhe të garantonte sigurinë e Europës Perëndimore. Me kalimin e kohës, misioni i saj është zhvilluar për të përfshirë parandalimin, mbrojtjen, menaxhimin e krizave dhe bashkëpunimin për sigurinë.

Vendimmarrja në NATO

Organizmi më i lartë vendimmarrës i NATO-s është Këshilli i Atlantikut të Veriut, që drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm aktualisht ish-kryeministri holandez Mark Rutte dhe ka selinë në Bruksel. Çdo vend anëtar ka përfaqësuesin e tij në këtë këshill dhe vendimet merren me konsensus.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular