Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me dy procese gjyqësore paralele në Gjykatën Speciale. Njëri, për akuzat e krimeve të luftës dhe tjetri, i ngritur më vonë, për pengim të drejtësisë. Por kjo akuzë e dytë, sipas avokatëve mbrojtës, nuk po u jep mundësinë për një proces të drejtë. Në një letër drejtuar gjykatës, ata thonë se vendimi për të mos kontaktuar dëshmitarët i ka vënë përballë një sfide të pazakontë.
“Mbrojtja kërkon të ndërmarrë hetime. Hetime të tilla do të kërkojnë kontakt me disa nga individët që janë dëshmitarë të ZPS-së, si në ‘Rastin 06’ ashtu edhe në ‘Rastin 12’. Kontakti me individë të tillë është i pashmangshëm në hetimet e mbrojtjes së Rastit 12, sepse rasti është ndërtuar kryesisht rreth provave të këtyre dëshmitarëve që mbivendosen”.
Avokatët nënvizojnë se janë të diskriminuar në krahasim me ekipet e tjera të avokatëve që mund të kontaktojnë dëshmitarët e nevojshëm.
“Pasoja është se, ndërsa ekipet e tjera të mbrojtjes të Rastit 12 kanë liri të konsiderueshme veprimi në intervistimin e dëshmitarëve të ZPS-së, mbrojtja e Thaçit përballet me kufizime të konsiderueshme nëse dëshiron të kryejë të njëjtat hapa hetimorë”.
Avokatët mbrojtës nënvizojnë se të dyja proceset e ngritura njëkohësisht janë kontradiktore dhe se ky është një zhvillim i pashembullt në të drejtën ndërkombëtare penale.
Javën që kaloi, në Gjykatën Speciale të Hagës nisën të paraqiten dëshmitarët e parë të thirrur nga mbrojtja, ku të parët ishin ish-zyrtari amerikan James Rubin dhe ish-këshilltari i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams.