Furnizim 24 orë me ujë të pijshëm në 100% të zonave urbane dhe mbi 80% të zonave rurale, deri në vitin 2030”. Ky është një prej objektivave të vendosur në programin qeverisës për 4-vjeçarin, që u miratua pak ditë më parë edhe në Kuvend. Një tjetër objektiv është Krijimi i Operatorit Shtetëror të Prodhimit të Ujit, si strukturë kombëtare e unifikuar që administron burimet ujore, garanton cilësi, mbrojtje dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Gjithashtu, në program thuhet se gjatë periudhës 2025 -2029 shpërndarja dhe furnizimi do konsolidohen si funksion, duke siguruar mirëmbajtjen e rrjeteve dhe reduktimin e humbjeve, ndërsa konsumatori do të marrë shërbim transparent, faturim korrekt dhe shërbim efikas. Digjitalizim i plotë i shërbimeve përmes sensorëve, monitorimit në kohë reale dhe inteligjencës artificiale, duke garantuar kontroll modern dhe menaxhim të integruar është një tjetër pikë e programit në drejtim të sektorit, si pjesë e shtyllës së dytë “Rritja ekonomike e qëndrueshme”.
Në fillim të muajit shtator u prezantua dhe reforma që pritet të ndërmerret në sektor, ku ndër të tjera u bë me dije se Operatori Shtetëror i Prodhimit të Ujit do të jetë funksional nga janari i vitit 2026. Krijimi i kësaj strukture do të shoqërohet edhe me ngritjen e Task- Forcës së Ujit, me fokus ndërprejen e lidhjeve të paligjshme dhe me reformë në burimet njerëzore të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.
Gjatë prezantimit të reformës autoritetet thanë se aktualisht janë 43 zona urbane dhe 98 rurale që furnizohen 24 orë me ujë. SCAN