Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka shkarkuar nga detyra zëvendësin e saj Andi Mahila, pasi ky i fundit u filmua duke tymosur një cigare në një restorant. Lajmin e ka konfirmuar vetë Koçiu përmes një deklarate publike, ku shpjegon dhe arsyet e këtij vendimi.
Sipas ministres, arsyeja lidhet me një denoncim të bërë nga një qytetar shqiptar që jeton në New York, i cili ka raportuar se Mahila kishte pirë cigare në ambientet e brendshme të një restoranti, duke shkelur ligjin për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike.
“Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit. Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra. Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.“, shkruan Koçiu.

Koçiu theksoi gjithashtu se ka kontaktuar personalisht qytetarin që bëri denoncimin për ta informuar se shqetësimi i tij nuk u injorua: “Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër. I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.”
Andi Mahila ka shërbyer si zëvendësministër i Punëve të Brendshme që nga janari i vitit 2021. Ai ka një karrierë të gjatë në diplomaci, në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), si dhe në administratë dhe sektorin privat. Mahila gjithashtu ka qenë konsull në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe ka mbuluar çështje të emigracionit, sigurisë dhe ligjore. Është diplomuar në drejtësi dhe ka kryer trajnime të specializuara në siguri kombëtare dhe menaxhim, përfshirë certifikime nga Harvard Business School.