Artistë nga e gjithë bota po marrin pjesë në edicionin e 10-të të Mural Fest në Ferizaj të Kosovës, duke i shndërruar muret e zbehta në art shumëngjyrësh dhe plot shpirt.
Artisti amerikan Zane Prater tha se për pikturën e tij në ndërtesën e komunës ishte frymëzuar nga zogjtë e zinj në Kosovë.
“Po mendoja se çfarë, në përvojën time këtu, la gjurmë tek unë, çfarë më la mbresa. Dhe më kujtohen këta zogj të zinj që ishin kudo nëpër qytet. Me vetëm një shtresë të vogël boje, mund ta ndryshosh krejtësisht një ambient. Nuk ke pse ta ndryshosh arkitekturën, nuk ke pse të ndryshosh aq shumë, por vetëm duke sjellë art në hapësirat publike…“, tha Zane Prater, artist nga Amerika.
Banorët e Ferizajt e kanë mirëpritur këtë nismë, që tashmë është në vitin e saj të 10-të, dhe që i jep jetë ndërtesave të vjetra të epokës komuniste të dominuara nga betoni.
“Zakonisht muralet janë një fasadë e bukur për të mbuluar ndërtesat e vjetra, sepse nuk ka kuptim të kesh murale në ndërtesat e reja. Kjo është një mënyrë fantastike për të dekoruar diçka të vjetër. Këto murale kanë historitë e tyre. Për mua, historia pas muraleve është më e rëndësishme sesa pamja e tyre, sepse gjithmonë mund të përdorësh vetëm 4 ose 5 ngjyra dhe të krijosh diçka të bukur, por për mua historitë janë më të rëndësishme“, u shpreh një banor i Ferizajt.
Në Ferizaj ka më shumë se 200 murale që tregojnë histori të ndryshme, përfshirë ngjarjet e luftës së viteve 1998–99, varfërinë, çështjet mjedisore dhe portrete të banorëve lokalë.
“Ndoshta nuk është fjala e duhur për ta quajtur qytetin të shëmtuar, por ishte më i zbehtë dhe i zymtë, dhe tani muralet i kanë dhënë këtë ngjyrë dhe këtë jetë. Tani ka një arsye që turistët të vijnë dhe të vizitojnë Ferizajn. Tani qyteti është një galeri urbane dhe e hapur, dhe turistët mund të vijnë dhe të shohin të gjitha muralet në qytet“, u shpreh Elza Beluli, drejtoreshë e festivalit.
Klan News