HomePolitikePrezantohet projekti EU4Law 2, Ministrja Koçiu: Politikat tona do të vendosin në...

Prezantohet projekti EU4Law 2, Ministrja Koçiu: Politikat tona do të vendosin në qendër territorin dhe qytetarin

spot_img

Në daljen e parë si Ministre e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu mori pjesë në prezantimin e fazës së dytë të projektit, EU4Law, projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, Gjermania, Italia dhe Franca. Ajo e konsideron projektin shenjë të qartë të vendosmërisë së përbashkët për të forcuar sundimin e ligjit, për të modernizuar institucionet dhe për ta afruar Shqipërinë gjithnjë e më shumë me standardet e familjes europiane.

Në eventin ku morën pjesë ambasadorët e vendeve që mbështesin programin, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese, Ministrja Koçiu tha se EU4Law 2, vjen në një moment të rëndësishëm, teksa Shqipëria po harton kuadrin strategjik kombëtar kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda deri në vitin 2030.

“Mbështetja juaj e palëkundur ka qenë vendimtare dhe mbetet kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. EU4Law është një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë me BE, e konceptuar për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë piketat e ndërmjetme, veçanërisht në Kapitujt 23 dhe 24, si dhe për të konsoliduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, nënvizoi Koçiu.

Në fazën e parë, projekti kontribuoi në rritjen e qëndrueshmërisë institucionale dhe efektivitetin e luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke kombinuar harmonizimin ligjor, zhvillimin e kapaciteteve, inovacionin teknologjik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Në fazën e dytë, objektivat konsiderohen ambicioze, por thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Projekti do të rrisë kapacitetin tonë për të hetuar krime komplekse, me fokus të veçantë në hetimet financiare, rikuperimin e aseteve, krimin kibernetik, pajisjen me sisteme të teknologjisë së informacionit dhe krimin mjedisor; do të mbështesë trajnimin dhe zhvillimin profesional për gjyqtarët, prokurorët dhe oficerët e zbatimit të ligjit; do të pajisë agjencitë tona të zbatimit të ligjit me sisteme moderne dhe mjete të specializuara”, theksoi Ministrja e Punëve të Brendshme.

Ky angazhim është pjesë e një vizioni më të gjerë për mandatin aktual.

“Një mandat ku teknologjia dhe inovacioni do të transformojnë cilësisht shërbimet dhe standardet për qytetarët dhe ku përdorimi masiv i sistemeve dhe pajisjeve inteligjente do të rrisë sigurinë në rrugë dhe në hapësirën dixhitale. Politikat tona do të vendosin në qendër territorin dhe qytetarin, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt nevojave të tij. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është vetëm një detyrim europian – është mbi të gjitha një detyrim ndaj qytetarëve tanë, të cilët meritojnë siguri, drejtësi dhe transparencë nga shteti i tyre”, theksoi Ministrja Koçiu.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular