Kryeministri Edi Rama në Vjenë, sot, 23 shtator, i pranishëm në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri”.
“Dua të shpreh një falenderim nga zemra Bankës Raiffeisen, drejtuesve të Bankës, qoftë në Vjenë ashtu edhe në Tiranë. Dua të falenderoj shumë drejtorit ekzekutiv në Tiranë, Kristian Kanakaris! Ka mbështetur me shumë kapacitete dhe dije aktorët lokalë, të cilëve kurrë nuk u ka munguar ambicia, por kishin nevojë për dije”, tha Rama në nisje të fjalës së tij.
“U deshën shumë vite që Shqipëria të futej në sistemin modern të bankave”, nënvizoi Rama.
“Ishte koha që shqiptarët të nxirrnin lekët nga poshtë dyshekut, dhe mediat shkruan se drejtori i Raiffeisen shkoi në Tiranë”, shtoi ai.
Sipas tij, mungesa e traditës dhe regjimi i gjatë komunist, ka ndikuar që shqiptarët të kishin frikë nga bankat.
Optimist për negociatat me BE
U ndal edhe te procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.
“Jemi në një proces që ka përparuar shumë, po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë, gjatë procesit të anëtarësimit. Është meritë e punë sonë dhe qasjes së re të Bashkimit Evropian, falë edhe luftës në Ukrainë që ka tronditur fort Europën”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Sipas numrit një të kabinetit, kapitulli më i vështirë për t’u mbyllur në gjykimin e tij, do të jetë ai për Mjedisin.
“Të vrapojmë, për të mos e lënë këtë mundësi të na shkojë”, tha ai.
Rama: Uroj të anëtarësohen vendet e BP, por ka një “zakon të keq”…
Sipas kryeministrit, Shqipëria qëndron më lart në përmbushjen e detyrave të caktuara nga BE, megjithatë, tha se kjo s’duhet marrë si e mirëqenë.
“Më parë ishte Maqedonia, tani quhet Maqedonia e Veriut. Nuk është kurrkund në hartë. Është dhe Serbia, që nuk është gjëkundi. Ndërkohë, Shqipëria konsiderohej si ‘kushedi’. Jemi më përpara. Duhet ta mendojmë si një punë kur do të bëjmë punën tonë. Shanset janë të mëdha, për shkak të kontekstit. Por me BE nuk i dihet, mund të ndryshojë. Duhet të bëjmë maksimumin në këtë kohë, ku e gjithë risia është e rreshtuar si duhet për vendin tonë, kur nuk ka ndodhur asnjëherë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Tha se më e mira do të ishte që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësoheshin, duke veçuar “zakonin e keq” që e pengon këtë gjë.
“Shpresoj që Bullgaria do të jetë më elastike për RMV-në, sepse ka një zakon të keq në BE, kjo marrja peng, është një vend rrëmbimi për hir të politikës së brendshme. Për hir të kësaj, një vend merr peng një vend tjetër dhe e bën mish për top apo si të thuash e gatuan në kuzhinën e vet. Shpresoj që Maqedonia e Veriut të ketë një rrugëtim normal. Shpresoj që Serbia të drejtohet në rrugën e duhur, gjithashtu për Bosnje-Hercegovinën, Kosova…Do të ishte mirë të anëtarësoheshim të gjithë, megjithatë ne do të fokusohemi të detyrat tona”, tha Rama.
Duke u ndalur specifikisht te Kosova, Rama tha se ajo duhet të bëjë detyrat e saj duke anashkaluar në mënyrë absolute qasjen e Serbisë.
“Ka një rrugë shumë të qartë, Kosova nuk duhet të mendojë, shohë apo t’ja dijë se çfarë bën Serbia, duhet të bëjë punët e veta dhe t’i japë BE-së fletoren me detyrat e shtëpisë dhe të ecë përpara”, tha kryeministri.
Bazuar edhe te Plani i Rritjes, tha se Shqipëria do jetë e aftë të prodhojë të gjithë energjinë që i duhet gjithë vitin pa nevojën për të importuar, përpara 2030-ës.
“Me dashurinë, forcën dhe gjithë forcën e dashurisë do të bëhemi vend i Bashkimit Evropian”, deklaroi me bindje kryeministri Rama
Ndërkoh, drejtori global i Raiffeisen Bank, Dr. Johann Strobl deklaroi se shpreson në sa më shumë investime në Shqipëri, pas kësaj konference.
“Banka jonë do të dhurojë një shifër të madhe për shkak të zjarreve që ka pasur, për ripyllëzim”, tha ai.
“Jemi krah jush dhe të gatshëm edhe për partneritete të tjera, për ekonominë dhe mbi të gjitha për shoqërinë shqiptare”, shtoi përfaqësuesja e Bankës, duke vënë theksin te procesi i negociatave me BE.
Sipërmarrjet e rëndësishme austriake prezantohen me Shqipërinë e sotme, si një histori suksesi dhe destinacion për investime strategjike në energji, turizëm, teknologji e jo vetëm.