Edhe pse ende demokratët nuk kanë vendosur kandidaturën për zgjedhjet e pjesshme vendore të Tiranës përballë Ogerta Manastirliut të PS-së, ata e kanë vendimin për të mos e bojkotuar këtë garë.
“Ka dy taktika. Është qëndrimi i bojkotit dhe mund të përdoret, por ajo kërkon të përgatisësh lëvizje guerile, etj, etj, që ne nuk jemi. Nuk jemi parti e lëvizjeve guerile, jemi parti e vlerave konservatore dhe i kemi të shpallura ato. Kjo është arsyeja pse ne nuk bojkotojmë, pse ne marrim pjesë në zgjedhje. Pavarësisht se ato janë farsë,” deklaroi kryedemokrati Sali Berisha.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës së 18 shtatorit mes debatesh dhe vetëm me votat e mazhorancës, ai tha se rruga e vetme që i mbetet opozitës për të rrëzuar qeverinë, janë protestat.
“Qytetarët e panë se çdo gjë është e pashpresë në rrugë procedurale dhe ligjore dhe rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protesta kundër këtij grupi mafioz që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe as moral”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit u ndal dhe te vendimi i marrë dje (23 shtator) nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Berisha deklaroi se cdo anëtar i qeverisë, do të ketë fatin e Erion Veliajt.
“Sot ishte një mundësi që të anulohej seanca dhe me anulimin e seancës rivendosej Kushtetuta. Por problemi është se këta janë Erion Veliaj. Janë copy-paste. Këta e kanë shumë të qartë se i pret fundi i Erionit. Këta e kanë të qartë se e drejta, e vërteta, vonon, por nuk harron.
Është e qartë se kur them që janë si Erion Veliaj, janë pa asnjë diskutim edhe më keq se ai në disa aspekte.
Mirëpo ai e di se drejtësia vonon dhe nuk harron. Këta i panë dje këshilltarët, të quajturit larva njerëzore, njerëz të cilët kishin dalë dhe ishin kacavjerrë dritareve dhe dyerve të prokurorisë dhe gjykatës në protesta kundër arrestimit të Erionit, kurse dje i bënin gjyqin Erion Veliajt, duke dëshmuar se nuk kanë as moral, as karakter, asgjë tjetër. Ju e patë se si ishin ata sot, ishin në zi, nxinin sepse panë secili në veten e tij, fatin e Erion Veliajt”, tha Berisha.







