Gjykata e Lartë njofton se, pas depozitimit në datën 23 shtator 2025, nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) të raportit dhe listës së renditjes së kandidatëve për vendin vakant të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, ka ndërmarrë hapin e radhës në këtë proces institucional.
Vendi vakant u shpall nga Gjykata e Lartë më 11 dhjetor 2024.
Në mbështetje të dispozitave ligjore, Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Vendimi për thirrjen e mbledhjes së posaçmeShkarko këtu
Mbledhja do të zhvillohet më 30 shtator 2025, në orën 09:00, pranë ambienteve të Gjykatës së Lartë.
Sipas pikëzimit të gjashtë kandidatëve, Asim Vokshi rezulton i pari me 89.5 pikë, ndjekur nga Naureda Llagami me 89.3 pikë. Florian Ballhysa është vlerësuar me 77.83 pikë, Alma Faskaj me 77.77 pikë, Genta Tafa (Bungo) me 75.44 pikë dhe Alban Toro me 74.22 pikë.
Në total pati 13 kandidatë që shfaqën interes për plotësimin e vakancës si rezultat i mbarimit të mandatit të Holta Zaçajt, por vetëm gjashtë emrat më sipër u kualifikuan.
Kandidatët e tjerë nuk plotësuan kushtet ligjore ose procesi i kandidimit u ndërpre për arsye të tjera.
Kujtojmë se mandati i Zaçajt përfundoi në dhjetor të vitit të shkuar. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj. Theksojmë se, sipas Kushtetutës, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Gjykata e Lartë (midis tre kandidatëve të parë të renditur nga KED), ndërsa anëtarët e tjerë emërohen nga Presidenti dhe Kuvendi.