Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, është takuar këtë të enjte me ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Sipas një komunikate zyrtare të publikuar nga delegacioni i BE-së në Tiranë, në këtë takim u konfirmua gatishmëria e BE-së për të ofruar ekspertizë për forcimin e institucioneve të drejtësisë në vend.
Ambasadori Gonzato theksoi nevojën për ndryshime në Kodin Penal, që të përafrohen me standardet evropiane dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë për të forcuar më tej institucionet e drejtësisë, për të ofruar ekspertizë dhe për të nxitur llogaridhënien dhe efikasitetin.
Ambasadori Gonzato theksoi se Shqipëria pritet të ndryshojë disa dispozita të Kodit Penal për t’i përafruar ato me standardet evropiane dhe me legjislacionin e BE-së, duke i dhënë përparësi ndryshimeve që nevojiten për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme pjesë e Grupkapitullit të parë.”, thuhet në njoftim. Ambasadori Gonzato mes të tjerash, theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të reformës në drejtësi të vitit 2016, në përputhje me arkitekturën e saj aktuale, si dhe arritjen e një ekuilibri të drejtë midis pavarësisë dhe llogaridhënies.