Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se ende nuk e kanë një emër për kandidatin që do garojë në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Tiranë.
Kryedemokrati theksoi se janë 3 përfaqësues, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti që do të negociojnë me partitë e tjera opozitare për emrat e kandidatëve. Berisha theksoi se vetë nuk është i gatshëm të pronocohet për të treguar se kush është kandidati i tij i preferuar.
“Belind Këlliçi, Flamur Noka, Ilir Alimehmeti do të jenë përfaqësuesit tanë, do të negociojnë me partitë e tjera. A më shkon mua që nga njëra anë ti ngarkoj e tu them partive opozitare qe do negocioj e të them emra, Sot do të mblidhen, punën e kanë filluar që dje.
Këta 3 persona janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare. Ata do takohen me kandidatët me partitë, duhet të bien dakord për emra, pastaj vjen radha e kandidatëve. Nuk do prononcohem, sepse ky është një proces, në të kundërt do të thosha ky është i preferuar.”- u shpreh Berisha.
Negociata e PD me aleatet
Partia Demokratike ka nisur negociatat këtë të shtunë për të përzgjedhur kandidatin që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Tiranës.
Gazetarja Klesiana Omeri në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News raportoi se këto negociata PD i ka nisur sot me kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediun dhe atë të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Në bisedën që po zhvillohet në selinë blu, marrin pjesë Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe Flamur Noka.
“Ky është hapi i parë zyrtar që hedh PD për përzgjedhjen e kandidaturës që do të garojë së shpejti në Bashkinë e Tiranës përballë Ogerta Manastirliut të PS-së. Negociatat kanë nisur me dy aleatë, kreun e PR-së Fatmir Mediu dhe kreun e PAA-së, Agron Duka, me 3 të mandatuarit e PD-së, që janë Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe Flamur Noka.”, tha Omeri.
Ndërkohë që në selinë blu po negociohet për përzgjedhjen e kandidatit për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, deputeti demokrat Flamur Noka ka dalë në një deklaratë për mediat.
Gjatë fjalës së tij, Noka tha se PD është e hapur për të diskutuar me të gjitha partitë opozitare, me përjashtim të partisë “Bashkë” të Arlind Qorit, të cilën ai e cilësoi si “parti të majtë radikale”. Ai shtoi se nuk ka asnjë vijë të kuqe për partitë e qendrës dhe të djathtës, ndërsa theksoi se pjesë e takimeve janë aleatët tradicionalë të PD-së.
“Në rast se do të unifikojmë përballë këtij regjimi të gjithë faktorët, nëse të gjitha partitë opozitare do unifikohen në një kandidat të përbashkët përballë Miss Covidit dhe regjimit të narkosit.
Unë të thashë që takimi është me të gjitha partitë parlamentare. Qori është parti e majtë radikale. Ne flasim me partitë e qendrës e të djathtë. Për këto nuk kemi asnjë vijë të kuqe.
Sot kemi takimin me dy aleatët tanë, Mediun dhe Dukën. Pra PR dhe PAA. Në ditët në vazhdim do ulemi me PL dhe partitë e tjera parlamentare. Dora jonë do jetë me të gjitha partitë e qendrës dhe të qendrës së djathtë. Ne jemi të hapur si forcë politike për çdo figurë për të diskutuar, që do parashtrohet nga aleatët.
Zoti Mediu dhe zoti Duka ranë dakord në parim për profilin e kandidaturës, dhe sigurisht në ditët në vazhdim do diskutojmë edhe për emrat dhe për modalitetet. Sot ishte kaq.”, tha Noka.
Duke ironizuar kandidaturën e Ogerta Manastirliut nga Partia Socialiste, Noka deklaroi se qyteti nuk mund të përfaqësohet me nga një figurë siç ai e quajti “Miss Covidi”.
“Ne s’mund t’i japim Tiranës një kandidaturë si Miss Covidi, të fyesh dhe poshtërosh shqiptarët me një figurë të tillë.”, tha Noka.
PD pritet të intensifikojë takimet me partitë opozitare në javët në vijim, me synimin për të ndërtuar një front të bashkuar përballë mazhorancës në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Këto negociata po zhvillohen pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se për Partinë Socialiste, në garë për Bashkinë e Tiranës do futet Ogerta Manastirliu. Këto zhvillime vijnë pas shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili qëndron në paraburgim që kur u arrestua më 10 Shkurt.