Në emisionin “Kjo javë” në News24, drejtuesi i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, paralajmëroi një pakt të mundshëm mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Sipas Lesit, dy liderët mund të arrijnë një kompromis nën tavolinë për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se qëllimi kryesor është dobësimi i SPAK-ut, i cili, sipas tij ka bërë një punë të shkëlqyer.
Lesi shtoi se edhe ministri i Drejtësisë do të përfshihet në këtë plan, përmes një projekti teknik që synon kufizimin e rolit të SPAK.
Gjithashtu, gazetari dhe analisti i njohur tha se me vota konsensuale mazhorancë-opozitë do të ndryshojë edhe Kushtetuta.
Drejtuesi i “Koha jonë”, Nikoll Lesi: Edi Rama tha se do ndryshojë Kushtetutën, se do të bëjë reformë të re administrative dhe do zvogëlojë numrin e deputetëve. Do futen në reformën në drejtësi. Edi Rama dhe Sali Berisha do gjejnë një pakt, për të shuar këtë shtyllë të drejtësisë për interesa të ndryshme.
Do gjejnë kompromis nën tavolinë, për të kufizuar drejtësinë. SPAK ka bërë punë të shkëlqyer dhe prokurorët e meritojnë një mandat tjetër. Rama dhe Berisha do të përpiqen të dobësojnë SPAK-un dhe ministri i Drejtësisë do bëjë projektin teknik për të dobësuar rolin e SPAK.