Edhe pse Partia Socialiste ka vënë në lëvizje motorët për Bashkinë e Tiranës, me kandidaten Ogerta Manastirliut, ende mbrapa ngelet Partia Demokratike, që akoma nuk ka nxjerrë një emër për garën.
Pavarësisht se ditën e shtunë, 27 shtator 2025, PD-ja nisi negociatat me forcat opozitare për një kandidat të mundshëm, e vetmja gjë që duket se është rënë dakord është mundësia për të vënë dikë nga shoqëria civile.
Për këtë, Agron Duka, kreu i PAA-së, ishte i ftuar sot në rubrikën “Përballë Lajmit”, në Klan News, me gazetarin Besard Jacaj, ku dhe pohoi se një figurë jo politike, mund ta bëjë betejën më të fortë për Bashkinë e Tiranës, e të tërheqë më shumë vota të qytetarëve. Pavarësisht mendimit për një emër nga shoqëria civile, Duka sqaron se nuk janë përjashtuar figurat politike për këtë garë.
“Parimisht mendohet që të gjendet një kandidaturë e cila bashkon gjithë forcat opozitare, e mund të jetë nga shoqëria civile. Kjo nuk do të thotë se përjashtohen emrat politike. Por, një kandidaturë përbashkuese, kështu mund të kemi një mundësi për të pasur një betejë të fortë dhe për t’u afruar në numra”, tha ai.
Por përveçse takimit zyrtar të bërë ditën e shtunë, Duka pranon se ka zhvilluar një bisedë jo formale me Adriatik Lapajn, në një lokal, ku i pranishëm ka qenë dhe Fatmir Mediu. Edhe këtu, siç shprehet Duka, ekziston dakordësia për një figurë jashtë rendit politik.
“Nuk ka logjikë tjetër, përveçse duhet të bashkohet opozita. Si mund të bashkohet ndryshe? Me një figurë që parapëlqehet nga gjithë forcat opozitare. Për shembull, përveç atij takimi, kemi pirë dhe një kafe me Lapajn. Me Dash Shehajn kam komunikuar dje. Ishim unë e Mediu (në kafe me Lapajn). Nuk thonë jo, por thonë se ka një figurë që mund të na bashkojë, e të jetë, parimisht, mbi forcat politike, natyrisht mund të dalim ta përkrahim”, tha ai.
Cili mund të jetë një emër i përshtatshëm për Dukën? Për këtë të fundit, mund të ishte Gjergj Bojaxhi.
“Një i tillë mund të ishte Gjergj Bojaxhi. Mbase, një figurë e tillë, jo e dakordësuar plotësisht, 100%, qoftë me PD, etj, por gjithsesi me profil të djathtë”, tha ai.
Për shkak të parimeve të tij të djathta, Bojaxhi, mund të tërheqë edhe votat e Partisë Demokratike, edhe atë shtresën gri, siç arsyeton Duka.
“Më pëlqen ky, se ka një profil, është ajo shprehja anti-establishment, si natyrë mund të tërheqi dhe shtresën gri. Nuk është 100% PD, por mund të tërheqë votën e PD, se ai djathtas ka qenë”, u shpreh ai.