Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran është takuar sot, 30 shtator, me kreun e SPAK, Altin Dumani.
Siç shkruhet në faqen zyrtare në “X”, të misionit në Shqipëri, ky takim shërbeu për të rikonfirmuar bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv mes OSBE-së dhe Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion.
Tarran ka vënë theksin te roli i SPAK në forcimin e sundimit të ligjit përmes ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, forcimit të sistemit të drejtësisë dhe adresimit të krimeve zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2025.
Kujtojmë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi propozoi 14 pika për Reformën Zgjedhore. Nga depolitizimi i komisioneve zgjedhore, përmirësimi i financimit të partive dhe palëve të treta e deri te rishikimi i ligjit për partitë politike.
Nuk dihet nëse këto pika janë diskutuar, ndërsa në vlerësimin e saj paraprak, OSBE/ODIHR-i i ka konsideruar zgjedhjet parlamentare të 11 majit si konkurruese dhe përgjithësisht profesionale, pavarësisht mjedisit politik të polarizuar.
Ka vënë në dukje po ashtu rolin pozitiv të SPAK-ut, si dhe mekanizmin e ngritur në bashkëpunim me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme për zbulimin e krimeve zgjedhore.







