Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh këtë të mërkurë, për fillimin e “Tetorit Rozë”, muaji ndërkombëtar i ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kancerit të gjirit. Në një postim në rrjetet sociale, ai u është drejtuar grave dhe vajzave me një thirrje për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.
“MIRËMËNGJES dhe me thirrjen e përvitshme në çdo #TetorRozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një muaj të mbarë,” shkruan kryeministri.
Muaji tetor, i njohur ndërkombëtarisht si “Tetori Rozë”, është një kohë kur institucionet shëndetësore, organizatat dhe qytetarët bashkohen për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, zbulimit të hershëm dhe trajtimeve efektive të kësaj sëmundjeje.
Mesazhi i Ramës vjen si një nxitje për gratë të mos e shtyjnë kontrollin shëndetësor, duke theksuar se një vizitë e thjeshtë mund të shpëtojë jetë.
Mesazhi i Presidentit Begaj
Me nisjen e Tetorit Rozë, muajit të fushatës globale të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bajram Begaj përcolli sot një mesazh inkurajues për gratë dhe vajzat që përballen me këtë sfide.
Duke iu referuar sloganit të këtij viti të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë , Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për parandalimit e kësaj sëmundjeje.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës për Tetorin Rozë:
“Çdo histori është unike, çdo rrugëtim ka rëndësi.
Në Muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, inkurajojmë gratë dhe vajzat që me guxim të jashtëzakonshëm përballen me këtë sëmundje. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë.”