Natyra unike e Shqipërisë por edhe investimet në struktura hoteliere marka dhe hapësira të dedikuara për artin dhe kulturën mund të jenë potencialisht që pikë që shfrytëzohet si sheshxhirrimi për klipet e yjeve të muzikës botërore.
Të paktën ky është një nga elementët që qeveria synon të nxisë dhe promovojë. Këtë ambicje e shprehu Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Universal Music Hospitality & Lifestyle.
“Në kuadër të vizionit për zhvillimin e industrive kreative dhe të turizmit kulturor, pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim përfaqësuesit e Universal Music Hospitality & Lifestyle, z. Robert Lavia (CEO), së bashku me z. Maxi Johal dhe z. Massimo Tuçi nga Tuçi Associates.
Universal Music Group është kompania më e madhe në botë në industrinë muzikore, me një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe një rrjet global që përfaqëson disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore, si The Beatles, U2, Andrea Bocelli, Elton John, Rihanna, Lady Gaga, Taylor Swift, Eminem, Lana Del Rey, Billie Eilish e dhjetëra artistë të tjerë ikonë.
Ky reputacion ndërkombëtar i jep një peshë të veçantë interesit të tyre për Shqipërinë. Në këtë bashkëbisedim u ndalëm tek mundësitë që ofron vendi ynë për të kombinuar turizmin me artin, duke shfrytëzuar natyrën unike të Shqipërisë si hapësirë për xhirime dhe prodhime artistike nga studio prestigjioze si Universal Video.
Një model inovativ që ndërthur investimet në hoteleri me hapësira të dedikuara për artistët, studio krijuese dhe teatro, duke sjellë një qasje të re për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor”, tha Gonxhe.
Sipas ministrit ky interes për Shqipërinë, pas eksperiencave të suksesshme në pika të ndryshme të Europës dhe Amerikës, përbën një mundësi të rëndësishme për vendin tonë, duke e pozicionuar atë në një rrjet ndërkombëtar ku arti, kultura dhe industria e mikpritjes bashkëveprojnë.
“Bashkëpunimi i tyre me World Tourism Organization dhe përfshirja në projekte të këtij niveli i japin këtij partneriteti një dimension strategjik, duke hapur rrugë për iniciativa që forcojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për krijimtarinë, artin dhe turizmin elitar”, nënvizon ai.