Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Danimarkë ku po zhvillohet Komuniteti Politik Europian ka folur për ministren robot, “Diella”. Rama u shpreh se “Diella” përballet me kritika, por theksoi se “kemi vërtetuar deri më tani se ka funksionuar”.
“Sa i përket ministrit AI, kjo është diçka e re, dhe si gjithçka e re duhet të përballet edhe me kritika që është diçka pozitive, por kemi vërtetuar deri më tani se ka funksionuar.
Ka nisur si asistent virtual për shërbimet publike për qytetarët dhe ka ndërvepruar me rreth 1 milion njerëz dhe ka lëshuar 36 mijë dokumente deri më tani me vulë digjitale të cilën askush nuk e ka kontestuar.
Së dyti, po punon për transferimin e legjislacionit europian në legjislacionin tonë për të ndjekur bisedimet e Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe së treti, tani po trajton tenderat publike që është një punë në progres, pra kritikat janë të mira, por ajo është më e mirë”, tha ai.
Gjithashtu Rama u shpreh se Shqipëria vijon të mbetet nën shënjestrën e sulmeve kibernetike nga Irani.
Por, theksoi se ende siguria jonë nuk është thyer, për shkak se sipas tij Shqipëria ka një ndër siguritë kibernetike më të mira në Europë.
Kryeministri Edi Rama ka folur pak para gazetarëve para nisjes së samitit. Ai foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Nuk po presim, po vrapojmë shumë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga të mëdhenjtë në dhomë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na marrin, sepse kjo do të jetë një Evropë e madhe dhe e vlerësuar.”, tha Rama i pyetur për integrimin.
Ai u pyet edhe për çështje të tjera, si sulmet kibernetike nga Irani apo ndalimi nga Izraeli i anijeve me ndihma humanitare të nisura drejt Gazës.