Kryedemokrati: PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin për këtë emër
Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj.
Reagimi i aktorit
Aktori i njohur i humorit dhe aktivisti Florjan Binaj, ka reaguar pasi Partia Demokratike deklaroi se do të mbështesë kandidimin e tij për kryetar të Bashkisë Tiranë përballë socialistes Ogerta Manastirliu.
Teksa ka falënderuar partitë opozitare si Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje për mbështetjen ndaj kandidaturës së tij të pavarur, Binaj shprehet se është i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare.
Ai ndër të tjera ka falënderuar qytetarët e Tiranës për inkurajimin këto ditë, ndërsa ka theksuar se nuk është politikan, por qytetar dhe partia e tij janë qytetarët.
“Kjo garë është për ju! Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU! Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë”, shkruan Binaj.
Reagimi i Florjan Binajt:
Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje.
Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare.
Dëshiroj mbi të gjitha të falenderoj me mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më kanë inkurajuar këto ditë.
Kjo garë është për ju!
Kreu i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka vendosur që të mbështesë aktorin e mirënjohur Florjan Binaj si kandidat për kryetar Bashkie të Tiranës.
Postimi i plotë i ADRIATIK LAPAJT
Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshne duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike.
Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje.
Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj.
Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë.
Duka PRO
Partia Agrare Ambientaliste e politikanit Agron Duka, rreshtohet zyrtarisht në një linjë me partinë më të madhe dhe drejtuese të koalicionit opozitar, Partinë Demokratike, duke mbështetur kandidaturën e aktorit Florjan Binaj për Tiranën.
“Zoti Binaj përfaqëson një profil qytetar dhe intelektual aktiv, i angazhuar në mbrojtjen e interesit publik, të mjedisit dhe cilësisë së jetesës”, thuhet në deklaratë.
Partia Agrare Ambientaliste e sheh pjesëmarrjen e tij si një alternativë ndryshe, që sjell frymë bashkëpunimi dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve. Ky reagim vjen vetëm pak orë pasi lideri demokrat Sali Berisha njoftoi zyrtarisht se PD mbështeste emrin e Binaj.
“Ne besojmë se bashkimi i forcave opozitare rreth figurave me integritet dhe përgjegjësi është rruga e duhur për të rikthyer besimin e qytetarëve në politikë dhe administrim lokal”, përmbyllet deklarata e PAA-së së drejtuar nga Agron Duka.
Aktori Florjan Binaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka deklaruar se në zgjedhjet e 9 nëntorit do të kandidojë për t’u bërë qytetari i parë i Tiranës.
I angazhuar prej vitesh në çështjet publike, Binaj vjen si një alternativë e pavarur, larg strukturave partiake, duke e konsideruar këtë një hap të nevojshëm për t’i rikthyer qytetarëve një drejtim më përfaqësues të kryeqytetit.
SHEHAJ KUNDER
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka shprehur kundërshtinë ndaj mënyrës si Partia Demokratike shpalli Florian Binajn si kandidatin për Bashkinë e Tiranës, duke e quajtur procesin jo serioz dhe të paqartë.
Sipas Shehajt, opozita duhej të zgjidhte kandidatin më të mirë përmes një sondazhi transparent, dhe jo të vendoste në mënyrë të njëanshme.
Ai theksoi se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Sali Berishën dhe se komunikimi ndërpartiak u ndërpre në momentin që PD shpalli kandidatin pa konsultim me partitë e tjera opozitare.
Agron Shehaj: Qëllimi ynë nuk ishte të impononim emrin e kandidatit, por të zgjidhnim kandidatin e duhur. Mënyra më e mire është realizmi i sondazhit. Si mund të merret ky vendim ? Si mund të shkojmë ne në zgjedhje pa ditur se kush është kandidati më i mirë Kjo është e papranueshme.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me Berishën. Është kërkuar pasi është shapllur kandidati. E merrni me mend vetë, se sa serioze është një takim pasi Partia Demokratike ka dalë zyrtarisht me një kandidat.
Komunikimin nuk e ndërpremë ne. Komunikimin, le të themi, përpjekjet tona për të dalë me një kandidatë, të mbështetur nga të gjitha forcat opozitare, mbaroi momentin kur kryetari i Partisë Demokratike ka dalë vetëm me një kandidatë. Ky është kandidati që ne do mbështesim. Tani nuk ka kuptim që ne të vazhdojmë të diskutojmë, se nuk mund të pretendojmë që Partia Demokratike, të ndërrojë mendim dhe të thotë “jo tani do vazhdojmë me këtë kandidatë” .
E përseris edhe njëherë, qëllimi ynë, e kemi thënë që ditën e parë, nuk ishte që ne të impononin emrin. Nuk na interesonte emri. Ne na interesonte që të kishim një proces që të kishim kandidatin më të mirë, për t’i dhënë Tiranës një kryetar bashkie të pakorruptuar. Kjo ka vetëm një mënyrë për t’u bërë, siç bëjnë të gjitha partitë perëndimore, kur duan të zgjedhin kandidatin më të mirë, është të bësh një sondazh.
Vetëm nëpërmjet sondazhi je i sigurt që kandidati që ti po nxjerr është më i miri.
Ne nuk mund ta dimë. Ne nuk mund ta bëjmë me hamendje, nëse ky është më i miri ose nëse ai tjetri është më i keqi.








