Partia Demokratike parashtroi në Këshillin e Legjislacionit kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke pretenduar se ai ka shkelur Kushtetutën dhe i ka mohuar opozitës të drejtën e fjalës në seancat plenare.
“Praktikisht në seancën e datës 16 shtator, në seancën 18 shtator, në të cilat, pavarësisht se i sapozgjedhur, kryetari i Kuvendit ka kryer veprime aktive në kundërshtim të hapur me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Rregullores së Kuvendit, duke u mohuar të drejtat deputetëve të opozitës dhe duke treguar njëanshmëri politike,” u shpreh deputeti demokrat Ivi Kaso.
Sipas deputetit të PD-së, shkelje kushtetuese janë evidentuar edhe gjatë seancës së prezantimit të programit të qeverisë.
“Ishte kryeministri i Shqipërisë, lideri i mazhorancës, i cili i diktoi kryetarit formal të Kuvendit mënyrën sesi do të drejtohej seanca. Pra, praktikisht, pasi bëri çeljen e seancës dhe mbasi i dha fjalën kryeministrit e lejoi këtë të fundit që tej parashikimit kushtetues dhe në Rregullore t’i jepte fjalën një versioni të animuar të asaj çka ai e quan ‘ministre’,” shtoi z. Kaso.
Nga ana tjetër, socialistët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar kërkesën e opozitës. Për këtë arsye, mbledhja u shty dhe pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.
“Do të kërkoja disa ditë kohë në lidhje me njohjen e gjithë dokumentacionit, me njohjen e kërkesës, jo thjesht njohje e lexim. Ne s’kemi ndonjë urgjencë. Mbledhjen mund ta bëjmë në fillimin e javës tjetër dhe patjetër për seancën tjetër çështja do të futet në rendin e ditës,” u përgjigj tha i PS-së, Damian Gjiknuri. RTSH







