Këtë të martë, 7 tetor, në orën 18:00 ka nisur mbledhja e Kryesisë në selinë e Partisë Socialiste ku do të diskutohet lidhur me zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki.
Kujtojmë se kandidatja socialiste për Tiranën është ish-ministrja Ogerta Manastirliu, ndërsa pritet të miratohet edhe emri i atij që do të garojë për bashkinë e Matit, Altin Bojni.
Sot, ka dalë edhe propozimi i PS-së për Beratin. Bëhet fjalë për Ervin Ceca, që aktualisht mban postin e nënkryetarit të kësaj bashkie. Po ashtu, në Cërrik, PS do të ketë kandidat kryetarin e komanduar Florenc Doka.
Gramoz Sako është kandidati i Tepelenës, ndërsa mbetet në pritje bashkia e Vlorës.
Më 3 tetor, kryeministri Edi Rama zhvilloi mbledhje me strukturat e partisë, ku ndau detyrat për një fitore historike në bashkinë më të madhe në vend. Në këtë takim morën pjesë ministra, deputetë të Tiranës, përfaqësues të bashkisë, si dhe ish-deputetë të cilët kanë kandiduar në zgjedhjet e mëparshme në këtë bashki.
Synimi i të majtëve është për një diferencë më të thellë se gara e fundit elektorale, zgjedhjet vendore të vitit 2023.