Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste janë zyrtarizuar emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit.
Kandidati për kryetar bashkie në Tepelenë do të jetë Gramoz Sako, në Berat do jetë Ervin Ceca, në Vlorë PS i ka besuar garën një gruaje, pasi ka zyrtarizuar kandidaturën e e Brunilda Mersinit, e cila është deputete aktuale e PS-së në këtë qark.
Ndërkohë, kandidati për kryetar bashkie në Cërrik do jetë Florenc Doka, i cili ka punuar në bashkinë e Cërrikut për një kohë të gjatë, ndërsa kandidati për kryetar bashkie në Mat do të jetë Altin Bojni.
Rikujtojmë se Bashkia e 6-të që do të shkojë në zgjedhje është ajo e Tiranës, ku tashmë është zyrtarizuar prej disa javësh kandidatura e Ogerta Manastirliut.
Kreu politik i PS për qarkun Vlorë, deputeti Bledi Çuçi, tha se zgjodhën një kandidat që e njihte menaxhimin e qytetit dhe problematikat atje.
“Menduam të kishim një kandidat për pjesën e mbetur të mandatit që të ishe me eksperiencë menaxheriale, që e njihte qytetin, por edhe për të mbushur vakancën që la me dorëheqjen e tij ish-kryebashkiaku. Kandidati duhet të plotësonte kushtet dhe ndaj zgjodhëm si emër deputeten aktuale Brunilda Mersinin. Një ish-drejtuese për kaq vite në Bashkinë e Vlorës, me eksperiencë të gjatë në menaxhimin e punëve atje dhe e duhur për të vazhduar punën më tej”, tha Çuçi.
Partia Socialiste miratoi dhe zyrtarizoi kandidatët zyrtarë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 bashkive të cilat do të mbahen më 9 nëntor. Drejtuesit politikë pas mbledhjes dolën në deklaratë të shkurtër para gazetarëve dhe njoftuan emrat zyrtarë.
Në Tiranë, PS ka kandiduar Ogerta Manastirliun, aktualisht deputete dhe një nga figurat më të njohura të mazhorancës. Manastirliu ka mbajtur për disa vite detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe së fundmi atë të Ministres së Arsimit dhe Sportit. Ajo ka një profil të formuar në administratën publike, duke nisur karrierën në Bashkinë e Tiranës në vitin 2004 dhe më pas duke drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” para se të hynte në politikë aktive si ministre dhe deputete.
Në Berat, kandidon Ervin Ceca, i cili mban aktualisht postin e kryetarit të komanduar të bashkisë. Ceca është pjesë e administratës vendore dhe ka marrë drejtimin e bashkisë pas largimit të kryetarit të mëparshëm dhe ish-drejtues banke.
Florenc Doka është kandidati i PS për bashkinë Cërrik, ku gjithashtu ushtron funksionin e kryetarit të komanduar. Ai është përfshirë në strukturat lokale të administratës dhe ka marrë detyrën pas krijimit të vakancës në krye të kësaj bashkie.
Në Mat, kandidon Altin Bojni me profesion financier, i cili prej disa muajsh është në detyrë si kryetar i komanduar i bashkisë. Bojni vjen nga strukturat vendore dhe është përzgjedhur nga PS për të kërkuar një mandat të plotë përmes votës qytetare.
Në Vlorë, kandidate është Brunilda Mersini, deputete e PS për qarkun Vlorë. Para se të zgjidhej në Kuvend, Mersini ka drejtuar Spitalin Rajonal të Vlorës, duke kombinuar përvojën në shëndetësi me angazhimin politik në zonën ku kandidon. Ajo është për herë të parë pjesë e garës për një post drejtues vendor.
Në Tepelenë, kandidon Gramoz Sako. Ai ka shërbyer për 11 vite si komandant i Gardës së Republikës, një nga institucionet e sigurisë që ruan figurat më të larta të shtetit. Sako dha dorëheqjen nga ky post në shkurt të vitit 2024 dhe kandidimi i tij për Bashkinë e Tepelenës shënon hyrjen në fushën e administrimit vendor.
Zgjedhjet e pjesshme në këto gjashtë bashki vijnë pas dorëheqjeve ose shkarkimeve të kryetarëve të mëparshëm dhe do të zhvillohen më 9 nëntor 2025.
/Euronews Albania/