HomeAktualitetISHP: 5,000 gra jetojnë me kancer gjiri në Shqipëri; Rastet rriten me...

ISHP: 5,000 gra jetojnë me kancer gjiri në Shqipëri; Rastet rriten me 23% në një dekadë. Mamografia, arma kryesore për zbulimin e hershëm

Advertismentspot_img

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka bërë të ditur se rreth 5 mijë gra jetojnë aktualisht me kancer gjiri në Shqipëri, që vazhdon të mbetet kanceri më i shpeshtë tek gratë në vend dhe në botë.

Sipas një raporti të ISHP-së, vetëm gjatë vitit 2024, në vend u diagnostikuan 805 raste të reja tek femrat dhe 14 raste tek meshkujt, ndërsa nga viti 2015 deri më sot, rastet e reja janë rritur me 23%, një rritje mesatare prej 2.1% në vit.

Në nivel botëror, kanceri i gjirit është kanceri më i diagnostikuar, me mbi 2.3 milion raste në vit dhe 666 mijë humbje jete. Ndërsa vendet me të ardhura të larta kanë normat më të larta të incidencës, edhe vendet si Shqipëria po përballen me një rritje të rasteve, për shkak të ndryshimeve në stilin e jetesës, plakjes së popullsisë dhe rritjes së depistimeve.

Në Shqipëri, kanceri i gjirit përbën 11% të të gjitha rasteve të reja me kancer dhe ka riskun më të lartë individual për gratë. Sipas ISHP-së, rritja e numrit të rasteve ka ndodhur kryesisht tek gratë mbi 50 vjeç, ku diagnostikimet janë shtuar me 3.6% në vit, ndërsa tek moshat nën 50 vjeç ka pasur një ulje të lehtë.

Mosha mesatare në momentin e diagnostikimit është rritur nga 55 vjeç në vitin 2015 në gati 59 vjeç në vitin 2024, çka tregon ndikimin e plakjes së popullsisë. Përballë kësaj sfide, depistimi i hershëm është kyç për të rritur mundësinë e trajtimit dhe mbijetesës.

Nga 5 mijë mamografi të kryera në vitin 2014, sot realizohen mbi 25 mijë mamografi çdo vit (2022–2024). Megjithatë, mbulimi me depistim të popullatës target (gra të moshës 50–60 vjeç) mbetet rreth 25%, ende larg niveleve optimale.

Gratë ftohen për ekzaminim nga mjekët e familjes dhe infermierët, të cilët kryejnë kontrollin klinik dhe i udhëzojnë për mamografi. Ky kontroll realizohet falas, çdo dy vjet, për gratë pa shenja klinike.

ISHP raporton se përmes mamografive të lëvizshme identifikohen çdo vit mbi 10 raste të dyshuara për kancer, dhe mbi 50 raste të reja diagnostikohen në kohë, duke u ofruar mundësi më të mira trajtimi.

Shërbimet e diagnostikimit dhe trajtimit ofrohen brenda sistemit spitalor publik dhe pa pagesë, në përputhje me protokollet mjekësore dhe sistemin e referimit. /tvklan.al

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular