Kuvendi shqyrton sot në seancë plenare raportet e veprimtarisë vjetore të 4 institucioneve për vitin 2024.
Kështu, sot do të shqyrtohet raporti i veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për vitin 2024.
Në paraqitjen e raportit të AKEP në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kreu i institucionit Gentian Sala u shpreh se, viti 2024 ka qenë një vit i rëndësishëm për AKEP, pasi ka qënë një vit ndryshimesh në disa nivele, në nivel menaxherial institucional ligjor.
Ndër zhvillimet më të rëndësishme në sektorin e komunikimeve elektronike, ka qenë realizimi i procedurës së tenderimit për dhënien e të drejtave të përdorimit të brezit të frekuencave 3400-3800 mhz, për ushtrimin e teknologjisë 5G, ku në përfundim të procesit AKEP ka lëshuar autorizimet përkatëse individuale për secilin operator, One Albania dhe Vodafone Albania, duke mundësuar në këtë mënyrë fillimin e ofrimit të shërbimeve 5G në Shqipëri.
Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe raportin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi gjatë prezantimit të veprimtarisë së këtij institucioni për vitin 2024 në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale dhe komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u shpreh se, gjatë vitit 2024 pranë autoriteteve publike janë depozituar gjithsej 11 549 kërkesa për informacion.
Dervishi theksoi se pranë zyrës së Komisionerit janë paraqitur dhe shqyrtuar, së bashku me ato të mbartura nga viti i kaluar, mbi 1000 ankesa.
Nga vlerësimi i ankesave në vitin 2024, janë trajtuar 939 ankesa të administruar si dhe 86 procedura të mbartura nga 2023, gjithsej 1025.
Kuvendi më pas do të shqyrtojë raportin e veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për vitin 2024.
Kryetari i ERE, Petrit Ahmeti në paraqitjen e raportit të veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, u shpreh se ERE ushtron aktivitetin e tij në zbatim të ligjit, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve të pjesëtarëve të tregut për të siguruar furnizimin me energji, me cilësi dhe me kosto sa më të ulët për klientët.
ERE merr në konsideratë interesat dhe të drejtat e klientëve, sigurinë dhe cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike dhe kërkesat për mbrojtjen e mjedisit. Në të njëjtën kohë, kryen licencimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektor, monitoron tregun e energjisë, harton kuadrin rregullator, shqyrton në përputhje me metodologjitë respektive aplikimet e tarifave dhe çmimeve dhe, nëpërmjet autoritetit vendimmarrës të saj dhe në zbatim të ligjit, vepron rast pas rasti duke e shprehur vullnetin nëpërmjet vendimmarrjeve të Bordit të Komisionerëve.
Më pas Kuvendi do të shqyrtojë raportin vjetor të veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2024.
Në paraqitjen e raportit në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kryetarja e Komisionit Rregullator, Gerta Lubonja tha se, ERRU ka bërë përpjekje maksimale për krijimin e një mjedisi rregullator profesional, ligjor dhe transparent për publikun, duke pasur gjithnjë në fokus rritjen e kapaciteteve në nivele bashkëkohore në mënyrë që të shërbejë për përmirësimin e performancës së këtij sektori jetik dhe veçanërisht të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve, duke pasur në konsideratë përballueshmërinë e faturave nga ana e tyre./ ATA