Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot, 9 tetor, dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
Gjykata ka vendosur njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë.
VENDIMI I PLOTË
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,
Vendosi: Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Reagon Presidenti Begaj
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka reaguar lidhur me vendimin e marrë këtë të enjte, 9 tetor, nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. në një njoftim për mediat, Begaj bën me dije se respekton vendimin.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, PS nuk do ta ndërpresë fushatën: “Vendimi i Gjykatës nuk është përfundimtar”
Socialistët nuk do ta ndërpresin fushatën për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, pavarësisht vendimit të pezullimit të dekretit të presidentit për këtë bashki nga Gjykata Kushtetuese.
Në një mesazh që u është shpërndarë drejtuesve të njësive socialiste në Tiranë, iu shpjegohet pse duhet të vazhdojnë punën edhe pas vendimit të sotëm të gjyqtarëve kushtetues.
“Ne nuk i komentojmë vendimet e gjykatave, për më shumë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por mund të themi se, Gjykata Kushtetuese ka marrë sot një vendim, siç parashikohet në nenin 45, pika 1 të ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese’, për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë. Po ky ligj sqaron në pikat 3 dhe 4 të nenit 45, se GjK mund ta heqë pezullimin ose të shprehet në vendimin përfundimtar për vazhdimësinë ose jo të masës së pezullimit.”
Në mesazh argumentohet pse vendimi përfundimtar dhe jo ai paraprak i nxjerrë sot ka rëndësi.
“Pezullimi nuk është shfuqizim i Dekretit, për pasojë palët e interesuara, por edhe publiku, duhet të presin vendimmarrjen e mëtejshme të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm vendimi përfundimtar mund të shfuqizojë ose jo një ligj ose një akt, në rastin në fjalë dekreti i Presidentit.”
Reagon kreu i PD Berisha
Sali Berisha përshëndeti këtë të enjte, 9 tetor, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
“Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim të cilin unë e përshëndes, si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit. Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve, të cilët mbrojtën Kushtetutën dhe kushtetueshmërinë nga armiqtë e tyre, për të mos thënë një fjalë tjetër, që edhe mund të mos e them nga horrat e shtetit. Pse e them këtë? Unë jam para jush sot, dhe jam personi që 3 ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, ju paralajmërova se do të veprojnë në këtë mënyrë dhe se do të anashkalojnë Gjykatën Kushtetuese me pretendimin e turpshëm, banal, vulgar se këshilli i ministrave qenka noteri i këshillit bashkiak. Që të paraqesësh para kombit qeverinë, ekzekutivin e vendit si noter këtë mund ta bësh vetëm atëherë kur nuk ke ligj, as moral, as respektin më minimal për shtetin, por vërsulesh i papërmbajtur ndaj Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese”.
Për Berishën, me këtë vendim, gjyqtarët e Kushtetueses “i bënë një shërbim vendit, rendit kushtetues, dhe u dhanë vulën e turpit, por nuk kanë turp se po të kishin turp nuk mund të vepronin kurrë, atyre që shkelmuan kushtetutën, Edi Ramës, presidentit të tij kukull dhe të gjithë atyre që u implikuan në këtë akt madhor antikushtetues”.
Me heret gjate te enjtes Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë.
Ndërkohë mbetet në fuqi data 9 nëntor, për zgjedhjet në pesë bashkitë e tjera, për të cilat nuk ka ndonjë ngërç juridik. Partia Socialiste ka zyrtarizuar kandidatët, ndërsa Partia Demokratike deri më tani ka vetëm një emër publik, atë për bashkinë Mat dhe që ka theksuar mbështetjen për kandidatin e pavarur, Florjan Binaj.
E teksa u ndal tek ky i fundit Berisha tha se Binaj ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike.
“Jam para jush për të shprehur mbështetjen e plotë të PD-së, për kandidatin e pavarur për Tiranën. Besoj dhe shpresoj se të gjitha partitë opozitare edhe pas këtij vendimi do të rikonfirmojë Florian Binajt i cili siç jeni në dijeni u prit me shumë pëlqim dhe kënaqësi nga qytetarët e Tiranës, të të gjithë spektrit, në të gjitha shtresat, grupet e me radhë”.
Kryedemokrati tha po ashtu opozita është e gatshme të vazhdojë garën në 5 bashkitë e tjera.
“Ne nuk kërkuam asnjë ditë, asnjë orë kohë edhe për bashkinë e Tiranës. Ishim të përgatitur, motorët po ndizeshin, kandidati po bënte përgatitje të ethshme, por natyrisht vendimi i Kushtetueses mirëpritet nga çdo qytetar i vendit, sepse pa Kushtetutë, pa kushtetueshmëri vendi nuk ka të ardhme. Kështu që me të gjitha bashkitë e tjera ne jemi të gatshëm. Kandidatët janë shpallur, janë edhe ata kandidatura intelektualësh, biznesmenësh, mjekë, të pavarura, por që do të kenë mbështetjen e plotë të PD dhe koalicionit tonë”.







