PD e cilëson marrëveshjen Izrael-Hamas si një sukses të diplomacisë së Trump dhe apelon për zbatim të plotë të planit të paqes
Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas rënies dakord mes Izraelit dhe Hamasit për fazën e parë të një marrëveshjeje paqeje, duke e cilësuar këtë zhvillim si një sukses të rëndësishëm diplomatik dhe një hap drejt stabilitetit në rajon.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Partia Demokratike shprehet se “përshëndet rënien dakord nga Izraeli dhe Hamasi për zbatimin e fazës së parë të planit të paqes të Presidentit Trump si një triumf të diplomacisë të Presidentit Donald Trump dhe palëve në konflikt”.
PD e konsideron këtë si një arritje të rëndësishme në përpjekjet për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, një rajon i prekur prej dekadash nga konflikte të dhunshme dhe humbje të mëdha njerëzore.
Duke e vlerësuar lart rolin e diplomacisë amerikane dhe gatishmërinë e palëve për dialog, Partia Demokratike thekson në deklaratë se uron që plani i paqes të shkojë deri në fund.
“Urojmë që në këtë frymë të vazhdojë zbatimi i plotë në të gjitha pikat i planit të paqes për konfliktin në Gaza dhe vendosja e një paqe të qendrueshme në rajon”.
Partia Demokratike e Shqipërisë i bën thirrje aktorëve ndërkombëtarë dhe rajonalë që të qëndrojnë të angazhuar për zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje. “Ky zhvillim duhet të shërbejë si shembull për zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet diplomacisë dhe jo forcës”, thuhet në reagimin e PD-së.







