Ultratingulli në onkologjinë moderne, një revolucion në luftën kundër kancerit
Ultratingujt janë përdorur prej kohësh për të ndihmuar mjekët të shohin brenda trupit, por valët e zërit me frekuencë të lartë dhe të përqendruar, po ofrojnë mënyra të reja për të goditur drejtpërdrejt kancerin.
Po të mos i kishte bezdisur kolegët e saj të laboratorit, Zhen Xu ndoshta nuk do ta kishte zbuluar kurrë një trajtim revolucionar për kancerin në mëlçi.
Si studente e doktoraturës në inxhinieri biomjekësore në Universitetin e Miçiganit në SHBA, në fillim të viteve 2000, Xu po kërkonte një mënyrë që mjekët të shkatërronin dhe hiqnin indet e sëmura, pa nevojën për kirurgji.
Ajo kishte menduar të përdorte valët me frekuencë të lartë të ultratingujve, për të thyer mekanikisht indet dhe po testonte teorinë e saj, në zemrat e derrave.
Ultratingulli normalisht nuk është i dëgjueshëm për veshin e njeriut, por Xu po përdorte një përforcues kaq të fuqishëm në eksperimentet e saj, saqë kolegët e laboratorit filluan të ankoheshin për zhurmën.
“Gjithsesi asgjë nuk kishte funksionuar deri atëherë”, tregon ajo. Kështu që, vendosi t’i plotësonte dëshirën kolegëve, duke rritur frekuencën e pulseve të ultrazërit, gjë që do ta nxirrte zhurmën jashtë spektrit të dëgjimit të njeriut.
Për habinë e saj, jo vetëm që kjo nuk i shqetësonte më të tjerët, por metoda u tregua shumë më efektive në indet e gjalla sesa përpjekjet e mëparshme.
Ajo pa një vrimë, që u shfaq në indin e zemrës së derrit brenda një minute nga aplikimi i ultratingullit. “Mendova se po ëndërroja”, thotë Xu, e cila sot është profesore e inxhinierisë biomjekësore në Universitetin e Miçiganit.
Dekada më vonë, zbulimi i saj i rastësishëm – i njohur si histotripsi – është një nga disa teknikat, që përdorin ultratingullin, për të ofruar trajtime të avancuara ndaj kancerit.
Këto metoda u japin mjekëve mundësinë që të largojnë tumorët kancerogjenë pa nevojën për kirurgji, duke përdorur tingull në vend të bisturisë.
Histotripsia u miratua nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në tetor 2023 për trajtimin e tumoreve të mëlçisë.
Vitin pasues, një studim i vogël i financuar nga kompania HistoSonics – e themeluar për të komercializuar teknologjinë e Xu, tregoi se kjo metodë pati sukses teknik në 95% të tumoreve të mëlçisë.
Ndërkohë që efektet anësore si dhimbje barku apo gjakderdhje e brendshme janë të mundshme, hulumtimet tregojnë se komplikimet janë të rralla dhe trajtimi është përgjithësisht i sigurt.
Në qershor, Britania e Madhe u bë vendi i parë evropian që e miratoi histotripsinë. Trajtimi u bë i disponueshëm në sistemin shëndetësor publik (NHS) si pjesë e një faze pilot të programit për pajisje inovative për nevoja klinike të paplotësuara.
“Njerëzit zakonisht e lidhin ultratinguollin me imazherinë”, thotë Julie Earl, hulumtuese në Institutin për Kërkime Shëndetësore Ramón y Cajal në Spanjë.
Por, shton ajo, një numër në rritje studimesh tregojnë se ultratingulli mund të përdoret edhe për të shkatërruar tumorët, për të frenuar kancerin metastatik (që përhapet në pjesë të tjera të trupit) dhe për të rritur efektin e trajtimeve të tjera kundër kancerit. Të gjitha këto, pa pasur nevojë që pacienti të futet në sallën e operacionit.

Si funksionon ultratingulli
Shumë njerëz e lidhin fjalën “ultratingull” me ekografitë gjatë shtatzënisë.
Për të krijuar një imazh mjekësor, një pajisje dore e quajtur transduktor dërgon valë zanore me frekuencë të lartë në trup. Këto valë përplasen me inde të ndryshme dhe kthehen mbrapsht.
Pajisja i kap këto valë të rikthyera dhe i shndërron në sinjale elektrike, të cilat krijojnë një imazh të brendshëm të trupit.

Ultratingulli në trajtimin e kancerit – Histotripsia
Përtej diagnostikimit, ultratingulli përdoret edhe për shkatërrimin e tumoreve në trajtime si histotripsia.
Kjo metodë përqendron valët e ultratingullit në një zonë shumë të vogël të tumorit, duke krijuar mikroflluska, që zgjerohen dhe shpërthejnë brenda mikrosekondave. Ky proces shkatërron indet e tumorit, dhe më pas sistemi imunitar i pacientit i pastron ato.
Në trajtimin e kancerit në mëlçi, pajisja e ultratingullit fokusohet në një zonë të vogël sa “maja e lapsit”, dhe lëvizet me ndihmën e një krahu robotik, për të goditur me saktësi tumorin.
Trajtimi është i shpejtë, jo toksik dhe jo invaziv, dhe pacientët zakonisht kthehen në shtëpi të njëjtën ditë.
Kohëzgjatja e procedurës zakonisht është 1–3 orë, dhe në shumicën e rasteve tumori shkatërrohet me vetëm një seancë.
Sfidat dhe kufizimet e histotripsisë
Megjithëse është premtuese, kjo metodë ka disa pikëpyetje:
Disa shkencëtarë shqetësohen se shpërbërja e tumoreve mund të përhapë qeliza kancerogjene në pjesë të tjera të trupit, megjithëse kjo nuk është vërejtur tek kafshët në studime.
Kufizimet anatomike: Kockat mund të pengojnë valët e ultratingullit, prandaj kjo metodë nuk është e përshtatshme për tumore pas kockave.
Gjithashtu, përdorimi në organe të mbushura me gaz si mushkëritë mund të jetë i rrezikshëm.

Shërimi i kancerit me ultratinguj
Histotripsia nuk është përdorimi i parë i ultratingullit në trajtimin e kancerit.
Një teknologji më e vjetër dhe më e njohur, e quajtur Ultratingulli i Përqendruar me Intensitet të Lartë (HIFU), mund të përdoret gjithashtu për të sulmuar tumoret.
“Një shpërthim i përqendruar i ultratingullit aplikohet mbi tumorin për të krijuar nxehtësi, e cila në thelb “gatuan” indin tumoral”, thotë Richard Price, bashkëdrejtues i Qendrës për Imunoterapi të Kancerit me Ultratingull të Përqendruar në Universitetin e Virxhinias, SHBA.
“Nëse merr një lupë dhe e mban në diell mbi një fletë të thatë, mund ta djegësh”, thotë Price. HIFU në thelb bën të njëjtën gjë me indin e kancerit, por duke përdorur energji zanore.
Në onkologji, HIFU njihet më së shumti si një mënyrë jo-invazive për të trajtuar kancerin e prostatës, dhe sipas një studimi të vitit 2025, duket se është pothuajse po aq efektiv sa kirurgjia.
Pacientët mund të ndiejnë pak dhimbje ose efekte anësore urinare pas zgjimit, por rikuperimi është zakonisht më i shpejtë sesa pas trajtimeve intensive si kirurgjia.
Të dyja trajtimet, histotripsia dhe HIFU, zakonisht kryhen nën anestezi të përgjithshme, në mënyrë që pacienti të mos lëvizë gjatë procedurës, duke minimizuar rrezikun e dëmtimit të organeve apo indeve përreth.
Megjithatë, histotripsia nuk gjeneron nxehtësi si HIFU, gjë që e bën më pak të rrezikshme për dëmtimin e indeve të shëndetshme përreth.
Por, jo të gjitha kanceret mund të trajtohen me HIFU – kockat apo ajri në trup mund të pengojnë valët e ultratingullit të arrijnë tek tumoret.
Gjithashtu, nuk është një opsion i përshtatshëm për pacientët, tek të cilët kanceri i prostatës është përhapur në gjithë trupin.
Megjithatë, studiues në vende të ndryshme po e eksplorojnë HIFU-në si një mënyrë për të trajtuar kancere të tjera, përfshirë disa forma të kancerit të gjirit.
Ultratingulli në kombinim me ilaçe të tjera
Studiuesit thonë se fuqia e ultratingullit mund të rritet edhe më shumë, kur kombinohet me forma të tjera ekzistuese të trajtimit të kancerit.
Kërkimet e fundit sugjerojnë, për shembull, se injektimi i mikroflluskave në gjak dhe stimulimi i tyre me ultratingull mund të hapë përkohësisht barrierën gjak-tru.
Kjo barrierë normalisht ndalon toksinat në gjak që të hyjnë në tru dhe ta dëmtojnë atë. Por, gjatë trajtimit të kancerit, hapja e qëllimshme e barrirës mund të lejojë ilaçet të arrijnë më lehtë te tumoret, që synojnë të shkatërrojnë.
“Pjesa jo-invazive është fantastike, por aftësia për të shpërndarë ilaçin në këtë mënyrë nuk ka të krahasuar”, thotë Richard Price.
Deepa Sharma, shkencëtare kërkimore në Qendrën Shëndetësore Sunnybrook në Ontario, Kanada, thotë se këto përfitime nuk kufizohen vetëm te kanceri i trurit.
Ajo ka studiuar kombinimin e ultratingullit dhe mikroflluskave në disa lloje kanceri, dhe ka zbuluar se kjo qasje përmirëson ndjeshëm shpërndarjen e ilaçeve.
Sipas kërkimeve të saj, mikroflluskat e stimuluara me ultratingull gjithashtu mund të forcojnë efektin e rrezatimit, duke dëmtuar enët e gjakut të tumorit dhe duke çuar në vdekjen më të madhe të qelizave kancerogjene.
Kjo do të thotë se mjekët mund të përdorin doza më të ulëta të trajtimeve toksike si kimioterapia apo radioterapia, kur ato shoqërohen me ultratinguj dhe mikroflluska.
“Radioterapia e shëron kancerin, por shkakton edhe shumë efekte anësore afatgjata”, thotë Sharma. Nëse efektet e saj mund të përforcohen me ndihmën e ultratingullit, mjekët mund të përdorin doza më të ulëta për të arritur të njëjtin efekt, por me më pak pasoja për pacientin.
Ultratingulli dhe imunoterapia
Ultratingulli duket gjithashtu se përputhet mirë me imunoterapinë, një formë trajtimi që aktivizon sistemin imunitar për të luftuar qelizat kancerogjene, që ndoshta po shmangen apo fshihen nga mbrojtja natyrale e trupit.
“Kur ultratingulli i përqendruar ngroh dhe dëmton tumoret, ai i bën ato më të dukshme për sistemin imunitar, dhe për rrjedhojë, më të prekshme nga mbrojtja e trupit”, thotë Price, qendra kërkimore e të cilit është e përqendruar pikërisht në këtë kombinim të trajtimit.
Një drejtim i rëndësishëm për të ardhmen, sipas tij, është testimi nëse kjo qasje mund të funksionojë edhe kundër kancerit në faza të avancuara. Kur kanceri është përhapur në trup (kancer metastatik), nuk mjafton të hiqet vetëm një tumor.
“Idealisht, mjekët do të mund të përdornin ultratingullin për të shpërbërë një tumor, duke e detyruar sistemin imunitar ta njohë dhe të nisë një sulm të përgjithshëm ndaj qelizave kancerogjene në gjithë trupin”, thotë Price.
Kjo ide ende nuk është testuar në prova klinike, por në teori, një ditë mund të mjaftonte trajtimi i vetëm një tumori për të luftuar dhjetëra të tjerë.
Megjithatë, ai paralajmëron se studimet mbi kombinimin e ultratingullit dhe imunoterapisë janë ende në fazat e hershme, dhe duhet shumë më tepër kërkim për të kuptuar nëse, si dhe kur, kjo metodë do të mund të ndryshojë trajtimin e pacientëve.
E ardhmja e trajtimit të kancerit
Megjithatë, qasjet e reja me ultratingull, që tashmë janë në përdorim po sjellin një epokë të re në onkologji – një epokë që synon të zëvendësojë ose të përmirësojë trajtimet aktuale si kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia, të cilat shpesh janë efektive, por shkatërruese për pacientin.
“Kanceri është i tmerrshëm. Por, ajo që e bën edhe më të keq është trajtim i tij”, thotë Xu.
Xu thekson se ultratingulli nuk është një “mrekulli” që shëron kancerin. Si çdo trajtim mjekësor, ka kufizimet dhe efektet e veta anësore.
Por, ashtu siç dikur shpëtoi kolegët e saj nga një zhurmë bezdisëse në laborator, ajo shpreson që zbulimi i saj – dhe ai i shumë shkencëtarëve të tjerë, do t’i ndihmojë pacientët të shmangin vuajtje të panevojshme për vite me radhë.