Nga e diela, më 12 tetor, sistemi i kontrollit kufitar në Evropë do të ndryshojë tërësisht. Me futjen e sistemit të ri të sistemit të hyrje – daljeve (EES), Bashkimi Evropian i thotë lamtumirë vulave në pasaportë dhe mirëpret kontrollet biometrike.
Në Itali, aeroportet e Milanos dhe Romës do të jenë të parat që do të zbatojnë sistemin e ri: këto pika kufitare do të testojnë në fazë pilot procedurat digjitale që përfshijnë marrjen e gjurmëve të gishtave dhe skanimin e fytyrës së udhëtarëve që vijnë nga vende jashtë BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas “Il Messaggero”, testimi do të shtrihet gradualisht deri sa sistemi të bëhet plotësisht funksional në gjithë rrjetin. Duke filluar nga 20 tetori, kontrollet e reja biometrike do të kryhen mbi rreth 10% të pasagjerëve që hyjnë ose dalin nga kufijtë e jashtëm të BE-së, dhe do të zgjerohet gradualisht deri sa të përfshijë të gjithë udhëtarët deri në prill 2026, sipas Rregullores (BE) 2025/1534.
Sistemi i ri, që do të menaxhohet nga Policia Kufitare, do të zëvendësojë vulën manuale të pasaportës me një regjistrim elektronik që përfshin të dhëna biometrike dhe informacion personal. Qëllimi është të monitorohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve që nuk janë pjesë e BE-së dhe që qëndrojnë për periudha të shkurtra deri në 90 ditë brenda 180 ditëve.
Procesi do të menaxhohet nga baza qendrore e të dhënave eu-LISA, me seli në Tallinn, Estoni, e cila do të mbledhë të dhënat nga 25 vende të zonës Shengen dhe katër shtete të tjera të lidhura – Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – për të përmirësuar sigurinë dhe për të luftuar emigracionin e parregullt.
Në momentin e mbërritjes, qytetarët nga vendet jo-anëtare të BE-së do të duhet të skanojnë pasaportën, të japin gjurmët e gishtave dhe një fotografi. Në disa aeroporte, një pjesë e procedurës mund të kryhet përmes kioska vetëshërbimi ose aplikacioneve të dedikuara.
Fëmijët nën 12 vjeç do të përjashtohen nga marrja e gjurmëve të gishtave. Pas regjistrimit të parë, hyrjet e mëvonshme do të jenë më të shpejta, pasi sistemi do të krahasojë automatikisht të dhënat ekzistuese në bazën e të dhënave.
Mbajtësit e pasaportave elektronike do të mund të përdorin skabwrat automatike të shënuara me simbolin e artë të kamerës. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se në javët e para priten vonesa më të gjata, sidomos në aeroportet kryesore.