HomeAktualitetMasat e sigurisë në rrugë/Rrezik për qytetarët, nga e hëna ndalohet qarkullimi...

Masat e sigurisë në rrugë/Rrezik për qytetarët, nga e hëna ndalohet qarkullimi me monopatina elektrike

Advertismentspot_img

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi sot ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të monopatinave elektrike në të gjithë vendin, pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë publike. Vendimi u mor pas një analize të detajuar të Policisë së Shtetit, e cila evidentoi rritje të ndjeshme të aksidenteve që përfshijnë këto mjete, kryesisht në zonat urbane.

“Kemi marrë një sërë ankesash dhe raportimesh nga qytetarët rreth rrezikshmërisë që këto mjete përfaqësojnë, sidomos për të miturit apo të moshuarit që lëvizin në rrugë, por edhe për vetë përdoruesit e tyre. Të dhënat e Policisë së Shtetit mbështesin këtë problematikë në rritje,” deklaroi Ministrja Koçiu.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përdorimi i monopatinave është shndërruar në rrezik të menjëhershëm për rendin dhe sigurinë publike.

Vetëm gjatë vitit 2024 janë 991 raste të raportuara nga urgjenca për aksidente me këto mjete, mes të cilave edhe me pasoja fatale.

Për ta adresuar këtë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, Policia e Shtetit ka përcaktuar një procedurë standarde bazuar në ligjin për Policinë e Shtetit, që parashikon ndëshkimin e drejtuesve të monopatinave dhe ndalimin e përdorimit të tyre në rrugë urbane e trotuare, deri në bllokimin administrativ të mjeteve.

“Që nga dita e hënë Policia e Shtetit do të përfshihet në një operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces,” theksoi Proda.

Pas përfundimit të procesit rregullator, lejimi i përdorimit të monopatinave do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak, jo për dhënie me qira apo veprimtari tregtare.

“Ne do të hartojmë rregulla të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë. Do të qartësojmë një herë e përgjithmonë se cilat janë korsitë, rrugët apo hapësirat ku monopatinat mund të përdoren dhe ku jo. Si dhe kriteret për moshën e përdorimit, masat mbrojtëse, si kaska, ndriçimi apo shpejtësia e lejuar,” sqaroi Ministrja.

Shqipëria nuk është i vetmi shtet, që është përballur me këtë situatë; edhe Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut dhe shumë vende të tjera kanë ndërmarrë masa drastike, duke vendosur bllokime të përhershme ose të pjesshme. Ministrja Koçiu theksoi se autoritetet shqiptare do të studiojnë të gjithë shembujt dhe praktikat më të mira evropiane, me synimin për të balancuar interesin e të gjitha palëve të përfshira.

Ky vendim vjen si pjesë e një pakete të re për forcimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e qarkullimit në mjediset urbane, duke synuar mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe uljen e numrit të aksidenteve.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular