Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nisi turneun e saj në Ballkanin Perëndimor, duke bërë ndalesën e parë në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian, duke shënuar një përshpejtim rekord në tre vitet e fundit.
“Jemi gati t’ju mbështesim në çdo hap të këtij rrugëtimi,” tha von der Leyen me anë të një postimi në X pas takimit me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Postimi i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen
Jam e lumtur që po e filloj turneun tim vjetor në Ballkanin Perëndimor në Tiranë. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Me një përshpejtim rekord në tre vitet e fundit. Ne jemi gati t’ju mbështesim në çdo hap të rrugës.

Në sytë e Brukselit, progresi i Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian duket i mrekullueshëm.
Ky ishte mesazhi që konfirmoi në Tiranë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Në prag të nisjes së Forumit të Investimeve BE- Ballkani Perëndimor, ajo u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama teksa konfirmoi se Brukseli planifikon të hapë të gjithë kapitujt deri në fund të vjeshtës së këtij viti.
Pak orë pasi Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli për një punë mbresëlënëse të bërë nga Shqipëria gjatë procesit të negociatave, lideri i PD-së, Sali Berisha mendon se vendi ynë plotëson vetëm një kriter për t’u bërë pjesë e BE-së.
Duke folur në një konferencë për shtyp ai tha se Tirana zyrtare ka në përputhje me BE-në vetëm qëndrimin në politikën e jashtme.
“Shqipëria përveç kriterit gjeostrategjik nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin e saj në BE. Nëse i referohemi popullit shqiptar, shtoj këtu se në këto vite, shqiptarët kanë ikur nga vendi i tyre më shumë se në çdo kohë lufte, fatkeqësisht natyrore apo shkaqesh të tjera. Gjatë qeverisjes së Ramës u larguan nga Shqipëria 1.099.000 qytetarë të këtij vendi. Kjo sepse në opinionin e PD-së, Shqipëria përveç kriterit të politikës së jashtme nuk plotëson asnjë kriter tjetër”.
Sipas tij “Në Shqipëri sot të gjitha pushtetet janë në duart e Ramës. Mbi 88% e mbi 220 mijë të punësuarve në administrate, i përkasin partisë- shtet. Rama burgosi liderë të opozitës dhe deputetë të saj. Partia-shtet në Shqipëri për të marrë mandatin e katërt përdori të gjitha mjetet dhe burimet e shtetit dhe shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale”.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë të cilit u vlerësua partneriteti i fortë dhe progresi që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj vlerësoi lidershipin e Presidentes von der Lyen për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces, duke mundësuar që të jetë ndër të parat përfituese e fondeve nga Plani i Rritjes, si dhe për insistimin për të patur Ballkanin Perëndimor në qendër të agjendës të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Kreu i Shtetit nënvizoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së është një mision kombëtar, interes kombëtar dhe ëndrra 35-vjeçare që bashkon brezat dhe shoqërinë, dhe se progresi i arritur në hapjen e 28 kapitujve negociues në pesë nga gjashtë grupkapitujt dëshmon vendosmërinë e institucioneve shqiptare për të ecur përpara me ritme të shpejta e të qëndrueshme.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit janë dy arritje që Shqipëria i ka realizuar si asnjë vend tjetër në rajon dhe vijojnë të jenë prioritare në mbrojtje të interesit publik dhe të respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Ai vuri në dukje rëndësinë e digjitalizimit dhe inovacionit në qeverisje si pjesë e procesit të modernizimit të administratës publike dhe rritjes së transparencës.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e linjëzuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe e angazhuar aktivisht në dialogun e sigurisë dhe të mbrojtjes BE-Shqipëri.
Kreu i Shtetit u ndal edhe në rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, të cilin e sheh si pjesë integrale të stabilitetit dhe të ardhmes së Evropës.
Në përfundim, Presidenti Begaj shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme dhe e përkushtuar në këtë udhëtim, duke theksuar se integrimi evropian është një investim i përbashkët për të ardhmen e kontinentit.
Presidenti i Republikës falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për mbështetjen e vazhdueshme teknike, politike dhe financiare, si dhe për vizionin e përbashkët për një Evropë të bashkuar, të fortë dhe gjithëpërfshirëse.







