Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është vlerësuar këtë të hënë, më 13 tetor, me Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Ky çmim prestigjioz nderon gratë që kanë treguar lidership të spikatur dhe janë angazhuar në promovimin e paqes, sigurisë dhe demokracisë, si në vendin e tyre ashtu edhe në nivel global.
Gjatë ceremonisë së pranimit, Osmani e cilësoi këtë vlerësim si “një nder të veçantë”, duke theksuar se ai i dedikohet popullit të Kosovës, e në mënyrë të veçantë grave që me guxim, dinjitet dhe dashuri kanë kontribuar në ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë.
“Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia është forcuar falë grave që nuk u lëkundën asnjëherë në rrugëtimin tonë drejt barazisë dhe lirisë,” u shpreh Osmani
Në komunikatën për media, theksohet se ky çmim është një njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes nismave si Forumi Ndërkombëtar dhe Qendra Rajonale e Ekselencës, të cilat tashmë janë shndërruar në platforma kyçe për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
Ky vlerësim ndërkombëtar jo vetëm që nderon rolin udhëheqës të presidentes Osmani, por e pozicionon Kosovën si një shembull global për përfshirjen aktive të grave në ndërtimin e paqes, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Osmani është gjithashtu e para lidere nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim.