Indrit Doda është drejtori i ri i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje. Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se këtë të martë, 14 tetor, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka emëruar në këtë detyrë oficerin e karrierës në Policinë e Shtetit, Indrit Doda.
Në këtë detyrë ai do të zëvendësojë Andi Dedën, ndërsa lëvizja vjen në një kohë kur në IEVP-të e vendit janë konstatuar disa fenomene shqetësuese lidhur me sistemin penitenciar.
Kush është drejtori i ri i SHKBB-së?
Doda ka mbajtur më parë postin e koordinatorit në Drejtorinë e Antiterrorit. Më herët ai është dekoruar edhe me medaljen e trimërisë pas disa operacioneve të suksesshme në Siri për riatdhesimin e shtetasve të bllokuar në kampe.
Doda ka qenë gjithashtu pjesë e strukturave hetimore edhe në disa drejtori të tjera policore në vend. Ai e njeh shumë mirë gjuhën angleze, italiane dhe frënge, dhe është diplomuar nga Akademia e FBI-së në Quantico, Virxhinia.
Kur një apartament shitet te 10 persona! Lamallari: Noterët do të verifikojnë çdo leje
Në mbledhjen e djeshme, 14 tetor, të dy komisioneve, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari deklaroi se shumë shpejt do të rishikohen Kodi Civil dhe ai i Procedurës për të gjitha problematikat ekzistuese.
Sa i takon “ngërçit” juridik me noterinë, informoi se ka një kontratë mes ASHK-së (Agjencia Shtetërore e Kadastrës) dhe AZHT-së (Agjencia e Zhvillimit të Territorit), për ndarjen e informacionit dhe pasqyrimin e tij në regjistër, lidhur me lejet ndërtimore.
“Unë do informoj me zhvilimet më të fundit në këtë drejtim lidhur me kontratat fiktive, shitjen e apartamentit te 10 persona të ndryshëm, etj. Tashmë ka nisur hedhja e të dhënave në regjistër, por më duhet të them se kjo mbetet në vullnetin e noterëve për të verifikuar nëse është dhënë leja ndërtimore ose jo. Nuk mund të regjistrohet asnjë kontratë mes palëve nëse nuk janë lejet përkatëse”, deklaroi ministri.