Në Konferencën e Kryetarëve të zhvilluar këtë të mërkurë 16 tetor, Partia Socialiste ka prezantuar dy draftet për ngritjen e komisioneve të posaçme parlamentare që do të merren me dy reforma të rëndësishme: Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
Komisioni për Reformën Zgjedhore
Sipas propozimit nga Partia Socialiste, Komisioni për Reformën Zgjedhore do të përbëhet nga 16 anëtarë, me ndarje të barabartë: 8 përfaqësues nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë opozitare. Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD, duke garantuar një balancë politike në drejtimin dhe vendimmarrjen.
Ky komision ka për detyrë:
-Hartimin e ndryshimeve ligjore për reformën zgjedhore
-Trajtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023 dhe ato të mëparshme
-Përgatitjen për raportin e pritshëm mbi zgjedhjet e 11 majit 2025
-Hartimin e ligjit për financimin e partive politike
-Pranë komisionit do të ngrihet një grup ekspertësh teknikë, ndërsa OSBE, Këshilli i Europës, Komisioni i Venecias, BE dhe SHBA do të ftohen për të ofruar asistencë dhe ekspertizë.
Komisioni për Reformën Zgjedhore do të funksionojë për një periudhë 9-mujore nga momenti i miratimit, me mundësi zgjatjeje nëse kërkohet nga bashkëkryetarët. Vendimmarrja do të synojë konsensusin e gjerë dhe çdo vendim do të konsiderohet i miratuar vetëm nëse ka mbështetjen e të dy bashkëkryetarëve.
Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale
Ndryshe nga komisioni zgjedhor, Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale do të ketë një përbërje ku mazhoranca ruan shumicën. Nga 17 anëtarë: 9 janë përfaqësues të PS, 6 të PD-së, 1 nga Aleanca për Ndryshim si dhe 1 nga Partia e Lirisë.
Kryetari i komisionit do të jetë nga shumica parlamentare, ndërsa zëvendëskryetari nga pakica.
Komisioni i Posaçëm do të organizojë:
-Seanca dëgjimore me qëllim konsultimi, tryeza pune dhe diskutime publike lidhur me temat objekt pune të këtij komisioni me:
-institucionet e qeverisjes qendrore dhe vetë qeverisjes vendore sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë;
-institucionet e sistemit të drejtësisë;
-institucionet kushtetuese të pavarura dhe institucionet publike të krijuara nga Kuvendi.
-agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, që kanë objekt të veprimtarisë së tyre çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës;
-ekspertë të mirënjohur të fushave përkatëse;
-përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit;
-pedagogë e studentë;
-përfaqësues të organizatave të specializuara brenda e jashtë vendit, etj.;
-Mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme nga struktura të ndryshme shtetërore në funksion të përmbushjes së objektit të tij;
-Përfshirjen në këtë proces të opinionit publik dhe veçanërisht të pakicave kombëtare dhe përfaqësuesve të tyre.
Balla i vendosur: Nesër do të ngrihet Reforma Zgjedhore! Shpresojmë me konsensus
Pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka dalë në një deklaratë për mediat, ku foli lidhur me diskutimet e sotme për dy komisionet e posaçme, atë për Reformën Zgjedhore dhe atë për Ndarjen Territoriale.
Balla tha se pavarësisht nëse do të ketë kundërshtime nga opozita, komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nesër do të ngrihet në Kuvend.
“Nesër do të ngrihet Reforma Zgjedhore, shpresojmë të ngrihet me konsensus,” deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS-së.
Ai foli dhe për propozimin që PS ka bërë lidhur me ngritjen komisionit për Reformën Zgjedhore, duke thënë se duan barazi edhe për partitë e vogla që nuk kanë arritur të formojnë një grup parlamentar. Balla ironizoi Partinë Demokratike duke thënë se kandidatët “ua marrin borxh” aleatëve, por nuk duan përfaqësikm të barabartë të tyre në komisione.
“Dua t’ju informoj, se nga ana e grupit parlamentar të PD-së informoheni përgjatë mbledhjes, se e para, ka një traditë parlamentare, i referohem këtu vendimit të Kuvendit të Shqipërisë të vitit 2017, për ngritjen e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, për të garantuar përfaqësimin e të gjitha partive parlamentare në Kuvend. Propozimi ynë është ai që ka qenë gjithmonë: të jemi të barabartë. PS dëshiron dhe vazhdon të insistojë dhe prandaj e kemi lënë pezull vetëm këtë pikë të vendimit, në mënyrë që ta vendosim të gjithë së bashku.
Kur shohim që PD-së këto partitë e vogla i duhen, madje u merr borxh edhe kandidatin se vetë nuk kanë, përse nuk i japin një vend në Komision parlamentar?
Unë nuk kam asnjë kompetencë të vë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e partive në këtë komision të rëndësishëm,” tha Balla.
Kjo deklaratë vjen pas debateve që u zhvilluan sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku PS prezantoi propozimet për dy komisionet e Posaçme, që priten të miratohen në seancën plenare të së enjtes.
Projektvendimi për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Bardhi: Jemi dakord, të ngrihet menjëherë pas publikimit të raportit
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, foli për projektvendimin për ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, gjatë Konferencës së Kryetarëve.
Ai u shpreh se janë dakord për ngritjen e këtij komisioni, por pasi OSBE-ODIHR të përfundojë raportin e saj.
”Jemi dakord për ngritjen e komisionit, pasi kjo çështje është një detyrim. Por unë kërkoj që ky komision të ngrihet pasi të kemi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it. Nuk mund të bëjmë ndryshime, kur jemi në pritje të rekomandimeve dhe sugjerimeve nga ai raport. Pra, propozoj që ngritja e këtij komisioni të bëhet menjëherë pas publikimit të raportit.
Kam edhe një çështje të dytë: Këtu është theksuar se komisioni përbëhet nga 16 anëtarë – 8 nga Partia Socialiste dhe 8 nga partitë e tjera parlamentare. Partitë parlamentare në Kuvend, referuar shpërndarjes së deputetëve, janë rreth 13. Pra, nuk veprohet mbi baza partish parlamentare, por mbi grupe parlamentare. Kjo ka qenë tradita e ruajtur. Sepse, po ta vlerësojmë ndryshe, do të thotë që PS t’i lërë një vend PSD-së, ndërkohë që kjo e fundit nuk është deklaruar në opozitë”, tha Gazment Bardhi.
Ngritja e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe Territoriale, Kuvendi: U arrit konsensus për t’i votuar
Zyra e Shtypit e Kuvendit njoftoi sot se dy maxhoranca dhe opozita kanë arritur konsensus gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për të ngritur dy komisione të posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.
Në një njoftim për shtyp, një ditë përpara se dy projektvendimet të kalojnë në seancë për t’u votuar, Kuvendi thekson se pika për të cilën palët nuk ranë dakord ishte programi për javët në vijim.
Njoftimi i Kuvendit:
Pas kërkesës u ra dakord për ngritjen e “Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe “Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
”Pika e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 20 tetor – 28 nëntor 2025 dhe shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 20 tetor – 7 nëntor 2025.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.
Për pikën e dytë dhe të tretë të rendit të ditës që ishte shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe shqyrtimi i kërkesës “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”, Konferenca e Kryetarëve arriti dakordësinë dhe miratoi dy kërkesat në fjalë.
Pika e katërt e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Kryetarit të Komisionit të përhershëm për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural “Për ngritjen e 3 (tre) nënkomisioneve pranë Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural”. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën “Për ngritjen e 3 (tre) nënkomisioneve pranë Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural”.




