HomeRajoniKosova edhe më pranë BE-së, pranohet si anëtare në Komitetin Ekonomik dhe...

Kosova edhe më pranë BE-së, pranohet si anëtare në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

Advertismentspot_img

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova.

Sipas njoftimit, ky institucion këshilldhënës në strukturat e BE-së, ka ftuar organizatat e shoqërisë civile në Kosovë që të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor në kuadër të Nismës së shteteve kandidate për zgjerim (ECMc), të iniciuar më 2023.

“Me këtë nismë shpresojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun civil dhe social, duke forcuar angazhimin dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve kosovare”, thuhet në thirrjen e publikuar në ueb-faqen e këtij komuniteti, sipas informimit nga Radio Evropa e Lirë.

Në shkurt të vitit 2024, EESC-ja u bë institucioni i parë i BE-së që pranoi anëtarë nga shtetet kandidate. Megjithatë, atëbotë Kosova nuk u përfshi, pasi është shteti i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Më 2024, ky komitet pranoi si anëtar Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën. Që të gjitha këto shtete formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

Nga ky komitet ishte thënë se nisma shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE.

Pavarësisht se Kosova nuk ka statusin e kandidates për anëtarësim në BE, sipas një përgjigjeje që ky komitet i ka dërguar Kohës, u vendos që “të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidate potenciale për anëtarësim”.

EESC-ja është pjesë integrale e BE-së. Ky komitet është themeluar më 1957 në bazë të Traktatit të Romës dhe synon të këshillojë vendimmarrësit e BE-së për t’u siguruar që organizatat dhe rrjetet e shoqërisë civile në mbarë kontinentin evropian kanë zë i përket zhvillimit të Evropës.

Organizatat e shoqërisë civile që bëhen pjesë e komitetit veprojnë si ndërmjetës mes vendimmarrësve dhe publikut.

“Qëllimi i EESC-së është që të ndihmojë që procesi i politikbërjes dhe ai legjislativ të jetë më demokratik, më efektiv dhe të reflektojë vërtetë nevojat e qytetarëve të BE-së”, thuhet në ueb-faqen e komitetit.

Komiteti ka selinë në Bruksel dhe përbëhet nga 329 anëtarë nga të gjitha 27 shtetet e BE-së. Vetëm anëtarët që vijnë nga shtetet e BE-së kanë të drejtë vote në EESC.

Anëtarët vijnë nga fusha të ndryshme dhe ata përfaqësojnë shoqata punëtorësh, industri, dhoma të tregtisë, shoqata për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, konsumatorë, fermerë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, e të tjerë.

Ky komitet përbëhet nga tri grupe: Grupi i Punëdhënësve, Grupi i Punëtorëve dhe Grupi i Organizatave të Shoqërisë Civile.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular