Qarkullimi i automjeteve në disa zona kryesore të Tiranës do të jetë i kufizuar sot për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Maratona e Tiranës 2025”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ndalimi i qarkullimit do të jetë në fuqi nga ora 08:00 deri në 16:00, dhe do të prekë një sërë rrugësh dhe bulevardesh të qytetit.
Segmentet me kufizim qarkullimi janë:
Sheshi “Nënë Tereza”
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Rruga “Gjergj Filipi”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Ismail Qemali”
Bulevardi “Bajram Curri” (deri te ura e “Taiwan”)
Kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit
Rruga “George W. Bush”
Rruga “Abdi Toptani”
Bulevardi “Zog I”
Bulevardi i Ri
Rruga “Ded Gjo Luli”
Rruga e “Durrësit”
Rruga e “Kavajës”
Rruga “Myslym Shyri”
Bulevardi “Zhan D’Ark” (nga ura e Gjykatës deri te ura e “Taiwan”)
Rruga “Ibrahim Rugova”
Rruga “Lek Dukagjini”
Kufizime edhe për transportin urban dhe automjetet e tjera
Për të garantuar mbarëvajtjen e maratonës, do të pezullohet përkohësisht edhe itinerari i mjeteve të transportit urban, që kalojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza” dhe të gjitha rrugët që ndërpriten nga ky itinerar.
Gjithashtu, më datë 19.10.2025, nga ora 08:00 deri në 16:00, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve të transportit të përzier, atyre teknologjikë dhe të pasagjerëve (me përjashtim të transportit urban qytetas) brenda Unazës së Madhe.
Qarkullimi për automjetet e shërbimeve emergjente dhe të Policisë së Shtetit do të vazhdojë normalisht në të gjitha rrugët e përmendura.
Policia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet me automjete në zonat e kufizuara, të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.