HomeOP EDZgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, dita kur ra grimi i partive...

Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, dita kur ra grimi i partive të reja surrogato! Nga Arian Galdini

Advertismentspot_img

Nga Arian Galdini
Ka zgjedhje që zgjedhin dhe ka zgjedhje që zbulojnë. Të 9 nëntorit nuk ndryshuan hartën, zbuluan mekanizmin.

Nën dritën e atij momentit kur nisi loja për zgjedhjet e pjesëshme të 9 nëntorit, ajo që për vite ishte shfaqur si “e re” antisistem u pa, në qartësinë më të madhe, për atë që vepron e është realisht, një surrogat i rendit të vjetër, i riformësuar, i përthithur, i përdorur si instrument i tij.

Etiketa “i pavarur” u përdor si gjethe fiku morale, “alternativa” mori funksionin e simulimit, një shfaqje pa substancë që ruan skemën duke e lyer me ngjyra të reja.

Kjo kthjelltazi nuk është lojë e fushës me rregulla e parime, por është thjesht dhe vetëm metodë kontrolli.

Aty ku duhej të dilte kandidati me program e barrë mbi shpatulla, u soll profili i “të pranueshmit” me skenar të gatshëm, aty ku duhej të shpallej hapur rreshtimi, u zgjodhën rrugët e mbyllura të firmave, thirrjeve të brendshme dhe koreografive pa përgjegjësi.

Aty ku duhej doktrinë, u soll marketing, aty ku duhej guxim, u bë kalkulim.

Qytetari e lexoi i pari, pavarësia nuk blihet e as shitet me formularë firmash me gjasme, të rrejshme, që i mbledh Partia, ajo kërkon risk dhe llogari të hapur.

Aty ku risku mungon, etiketa është pudër, aty ku llogaria refuzohet, pavarësia është pseudologji.

Ngjarjet rrodhën me sinjale të qarta.

Agron Shehaj ishte i pari që kërkoi publikisht një “kandidat jo politik” për Tiranën, formulë që tingëllon qytetare, por praktikisht i hap terren mbështetjes ekstra-partiake nën të njëjtin gravitet. Kjo formulë e Agron Shehajt ishte muzikë për veshët e Sali Berishës dhe një vënie topi në lojë.

Në të njëjtën sintoni, Adriatik Lapaj artikuloi nevojën për “kandidat të pavarur”, një kinse neutralizim elegant i rreshtimeve reale. Sigurisht Lapaj, nuk mund të shprehej për një kandidat partiak, ndaj i duhej një skemë edhe më radikale. Ndaj Lapaj shkoi nga kandiati jopolitik i Shehajt, tek kandidati i pavarur. Pasim më të bukur për Sali Berishën nuk kishte. Dukej haptazi se loja ishte gatuar me kujdes gjate verës. Kështu pas vënies në lojë të topit nga Shehaj, e pas pasimit nga Lapaj, Sali Berisha pranoi lojën “jo politik / i pavarur” dhe bëri golin e tij për zgjedhjet e pjesëshme, kur bëri sikur ngriti një bashkim taktik pa marrëveshje formale, një përqafim i të njëjtëve “pavarsista” nga shumë duar njëherësh.

Paralelisht, gjatë këtyre ditëve, Flamur Noka dhe strukturat e PD shpërndanë brenda degëve paketat e firmave mbështetëse për kandidatët e “pavarur” që do të merrnin përkrahje të sinkronizuar nga Berisha, Lapaj, Endri Shabani (Nisma/Thurje) dhe vetë Shehaj.

Kjo nuk është e re, është manuali i vjetër, i veshur me kostum të ri.

Pavarësia u luajt si formë, rreshtimi ndoqi gravitetin e vjetër.

Këtu flasin jo thashethemet, por logjika e procedurës.

Hannah Arendt ka paralajmëruar shume dekada më parë se e pavërteta nuk hyn me brohoritje, hyn me formularë.

Sapo futet në protokoll, kthehet në normë.

“I pavaruri”, i organizuar përmes kanaleve të mbyllura, kthehet në normë-simulim, mënyra standarde për të fshehur rreshtimin pa e deklaruar.

Te Tocqueville e gjejmë tirani të butë, kur qytetarit i ofrohet iluzioni i zgjedhjes, ndërsa vendimi real bllokohet në dhoma të mbyllura.

Ernst Troeltsch e çon më tej kur shkruan se rendet mbijetojnë kur ruajnë bazën morale përtej teknikës, dhe sa herë kjo bazë shteron, lind surrogacia, imitimi i së vërtetës në emër të shmangies së saj.

Tirana dhe Shqipëria e panë skenarin, votuesi po të duan ti hapin sytë dhe mendjen, i kanë mundësitë ti shohin fijet.

Këto zgjedhje të pjesëshme të 9 nëntorit, dhe ato të Tiranës pak javë më vonë, nuk do të prodhojnë thjesht një rezultat, por ato vlejnë pamasë sepse ato e bënë të dukshme arkitekturën e simulimit.

Nga këtu lexohen qartë tri provime të dështuara.

Së pari, rreshtimi pa doktrinë, fjalor moral në hyrje dhe orbitë e vjetër në dalje.

Fjala “qytetar” e përdorur si zëvendësues, jo si përmbajtje.

Së dyti, pavarësia pa llogari, firma të brendshme të mbledhura në strukturën e PD nga Flamur Noka dhe seksionet e grupseksionet e PD, thirrje private, zero transparencë, me pak fjalë, pseudo-pavarësi e paketuar si neutralitet. Kandiati i Pavarur në fakt është Kandidati Privat.

Kandidati i Pavarur është tashmë Kandidati Privat i Sali Berishës, Lapajt, Shehajt dhe Shabanit..

Së treti, “bashkimi” pa parim, një kalkulim elektoral që shmang pyetjen e vetme serioze, mbi cilat parime dhe me çfarë instrumentesh?

E reja që shmang doktrinën bëhet surrogat, pavarësia që shmang llogarinë bëhet fasadë, bashkimi që shmang parimet bëhet kozmetikë.

Pse ndodh kështu? Sepse është më lehtë të fitosh pamjen sesa të mbash peshën.

Václav Havel e formuloi prerazi, e vërteta nuk është slogan, është praktikë.

I vërteti del me rreshtim të qartë dhe burime të deklaruara, me program të matshëm nga qytetari, me rrezik humbjeje të pranuar si çmim i integritetit.

I rremi kërkon fitoren pa barrë, e shndërron pavarësinë në maskë dhe maskën në moral. Zgjedhjet e pjesëshme të 9 nëntorit dhe ato të Tiranës pas pak javësh, po tregojnë se shumë zgjodhën të dytën.

Megjithatë, kjo nuk është tablo pa shpresë. Pikërisht sepse u pa mekanizmi i simulimit, tani është koha e tokëzimit të doktrinës.

Kritika pa tokëzim është retorikë, doktrina, kur kthehet në procedurë, e bën politikën të jetueshme.

Sepse e vërteta e këtyre zgjedhjeve nuk është se kush do ti fitojë apo humbasë këto bashki, e vërteta është se ra grimi, ranë maskat, u pa fytyra e surrogatëve dhe forma e simulimit.

Aty mbaron iluzioni dhe fillon morali.

Demokracitë nuk rrëzohen nga një ditë e keqe, por nga zakonet e këqija, republika nuk braktiset me një akt, por me komoditetin e formës mbi disiplinën e përmbajtjes.

Prandaj, nëse duhet një fjali që mban boshtin e këtij mësimi, ajo është kjo, më mirë pak e vërtetë e humbur, se shumë mashtrime të fituara.

Maska vërtetë mund ta fitojë skenën, por përkohësisht, sepse vetëm ndërgjegjja e fiton historinë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular