Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që lë në burg ish kryetarin e bashkisë Tiranë, duke rrëzuar ankimimin e paraqitur nga Erion Veliaj.
Objekti i ankesës kishte të bënte me konstatimin e shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024, dhe shpalljen e pavlefshmërisë së veprimeve hetimore.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.
Kujtojme qe Gjykata e Lartë rrëzoi më 2 tetor rekursin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Sipas njoftimit të publikuar në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Albana Boksi në cilësinë e relatores dhe dy gjyqtarët Medi Bici e Sokol Binaj, vendosi mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 të 9 qershorit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimit e Organizuar, që ka lënë në fuqi arrestin e caktuar në Shkallën e Parë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Hetimet
Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK pertfundoi me 22 korrik hetimet ndaj, Erion Veliajt i hetuar për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie e shpërdorim detyre, ndaj bashkëshortes së tij Ajola Xoxa e gjashtë biznesmenëve të proceduar si dhe ndaj personave të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këto afera.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.