Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për motrat Antonela dhe Mariela Berisha, të cilat akuzohet se shpërfytyruan me shishe qelqi Klea Prengën.
Togat e zeza dënuan me 3 vite burg Mariela Berishën, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul me 1/3 dhe u dënua përfundimisht me 2 vite qëndrim pas hekurave.
Vuajtja e dënimit për të pandehurën fillon nga dita e vetëdorëzimit të saj më 15 tetor 2024 dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ndërsa ndaj ish-konkurrentes së “Për’Puthen” dhe ish-banores së BBV, u caktua 3 vite shërbim prove. Por, dënimi i zbriti në 2 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Motrat Berisha u dënuan për akuzën e plagosjes së rëndë pasi dhunuan blogeren Klea Prenga më 9 Gusht 2024, teksa kjo e fundit ndodhej në një restorant luksos në Tiranë.
VENDIMI:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të të pandehurave M.B. dhe A.B, ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në emër të Republikës,
VENDOSI
- Deklarimin fajtore të të pandehures M.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit M. B. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehuren M.B. fillon nga dita e vete-dorëzimit te saj date 15.10.2024, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtor të të pandehures A.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A. B., i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
- Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një kohë prove prej 3 (tre) vjet, me kusht që e pandehura të mbajë kontakte me Sherbimin e Provës dhe gjate kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
- Heqjen e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, caktuar nga Gjykata e Shkalles se Pare e Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë me vendimin nr. 2540 Akti, date 10.10.2024.
- Shpenzimet proceduriale gjate fazes se hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqesore i ngarkohen te pandehurave ne menyre solidare.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall sot në Tiranë, më datë 16.10.2025
VETËDORËZIMI
Antonela dhe Marinela Berisha u vetëdorëzuan në polici mbrëmjen 16 Tetorit 2024 pas më shumë se dy muajsh në kërkim.
“Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.08.2024, ku në një lokal te Kodra e Diellit, shtetaset A. B. dhe M. B. (motra) kanë goditur me shishe qelqi në fytyrë shtetasen K. P., ju njoftojmë se:
Sot më datë 16.10.2024, rreth orës 19:00, këto dy shtetase janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Në vijim të veprimeve u bë ekzekutimi i vendimit penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetases M. B., dhe masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases A. B. Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.
Në seancën e 18 tetorit 2024, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Mariela Berishajn nga “arrest me burg” që ishte, ndërsa la të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berishaj.
Gjatë seancës gjyqësore Marinela Berishaj kërkoi falje dhe mëshirë duke u shprehur se është nënë me një fëmijë 2 vjeç.
“Jam në një bashkëjetesë dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë”, ka thënë ajo