HomeEkonomiShtrëngohen kushtet dhe standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë....

Shtrëngohen kushtet dhe standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë. U lehtësuan për bizneset e vogla dhe të mesme

Advertismentspot_img

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, bankat raportuan një shtrëngim të standardeve të kreditimit për individët gjatë tremujorit të tretë të vitit, si për kreditë konsumatore ashtu edhe për ato të banesave.

Ky zhvillim lidhet kryesisht me rritjen e perceptimit të rrezikut nga ana e bankave, përfshirë aftësinë paguese të kredimarrësve, cilësinë e kolateralit dhe pritshmëritë për tregun e pasurive të paluajtshme. Njëkohësisht, bankat kanë shfaqur një tolerancë më të ulët ndaj rrezikut dhe janë përballur me kosto më të larta të fondeve dhe kufizime të likuiditetit në bilancet e tyre.

Një tjetër faktor që ka ndikuar është paketa e re e kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë në korrik 2025, që përcakton kufij mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar (LTV) dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (DSTI) për kreditë e reja të banesave.

Kushtet dhe termat u ashpërsuan

Kushtet dhe termat e përgjithshëm të kreditimit për individët u shtrënguan si në aspektin e çmimeve, ashtu edhe të elementeve joçmimore. Bankat aplikuan marzhe më të larta interesi si për klientët me rrezik më të lartë, ashtu edhe për ata standardë. Në të njëjtën kohë, ato rritën kërkesat për kolateral, reduktuan madhësinë e kredive dhe vendosën më shumë kufizime kontraktuale, veçanërisht për kreditë e banesave.

Megjithatë, konkurrenca e lartë në sistemin bankar është vlerësuar si faktor që ndihmon në ruajtjen e kushteve relativisht të favorshme për kredimarrësit.

Më pak kredi të miratuara

Shkalla e miratimit të kredive për individët ka rënë në mënyrë të ndjeshme, duke reflektuar një rritje të refuzimeve për shkak të të ardhurave të ulëta, pasigurisë në punësim dhe mungesës së kolateralit. Në anën tjetër, historiku pozitiv i marrëdhënieve me bankën dhe statusi i mirë i kredive ekzistuese kanë ndikuar në uljen e refuzimeve për disa kategori klientësh.

Kërkesa për kredi në rënie

Edhe kërkesa e individëve për kredi ka shënuar rënie gjatë tremujorit të tretë, si në kreditë për banesa, ashtu edhe në ato konsumatore. Sipas bankave, kjo rënie lidhet me nevojat më të ulëta për financim, zhvillimet e tregut të pasurive të paluajtshme, përdorimin e burimeve alternative të financimit, si dhe efektin e kufizimeve të reja rregullatore që hynë në fuqi në korrik 2025. Për tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që kërkesa për kredi banesash të vijojë të ulet, ndërsa kërkesa për kredi konsumatore të shfaqë një rritje të lehtë. /

Standardet e kreditimit për bizneset kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, sipas anketës më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi aktivitetin kredidhënës. Bankat raportuan se nuk kanë bërë ndryshime të ndjeshme në qasjen ndaj kredive për biznesin e madh, si për investime ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Megjithatë, për bizneset e vogla dhe të mesme (SME), standardet janë lehtësuar disi, duke reflektuar konkurrencën e shtuar në treg dhe përmirësimin e kushteve të bilanceve bankare.

Në kahun lehtësues të standardeve kanë ndikuar kostot dhe kufizimet më të ulëta financiare, si dhe trysnia konkurruese mes bankave, ndërsa në kahun shtrëngues ka ndikuar perceptimi mbi rrezikun e aftësisë paguese të kredimarrësve.

Për tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që standardet të mbeten të pandryshuara për bizneset e mëdha, por të lehtësohen më tej për SME-të.

Kushtet dhe termat e kredisë

Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet dhe termat e përgjithshëm të kredive të reja për bizneset kanë mbetur praktikisht të pandryshuara.

Në të njëjtën kohë, bankat raportojnë marzhe më të larta në kreditë me rrezik, për shkak të një tolerance më të ulët ndaj riskut. Elementët e tjerë çmimorë dhe joçmimorë – si normat e interesit, periudhat e shlyerjes apo kërkesat për kolateral – kanë shënuar ndryshime minimale.

Shkalla e miratimit dhe refuzimeve

Në tremujorin e tretë është vërejtur një rritje e shkallës së miratimit të kredive për bizneset, ndërsa raporti i refuzimeve ka rënë lehtë.

Sipas bankave, përmirësimi i situatës financiare të bizneseve ka ndikuar në këtë trend pozitiv.

Megjithatë, mungesa e kolateralit të përshtatshëm dhe historiku i mëparshëm i kreditimit vijojnë të mbeten faktorët kryesorë që çojnë në refuzimin e aplikimeve për kredi.

Kërkesa për kredi

Kërkesa totale për kredi nga bizneset është raportuar thuajse e pandryshuar, por me një ndarje të qartë mes segmenteve.

Bizneset e vogla dhe të mesme kanë shfaqur kërkesë më të lartë për financim, veçanërisht për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet, ndërsa bizneset e mëdha kanë kërkuar më pak kredi për investime.

Në vlerësimin e bankave, rritja e kërkesës është nxitur nga nevojat për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, si dhe besimi më i lartë i biznesit në ecurinë ekonomike.

Në anën tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe niveli ende i lartë i normave të interesit kanë ndikuar në frenimin e kërkesës për hua.

Pritjet për fundin e vitit

Bankat presin që në tremujorin e katërt të vitit 2025, kërkesa për kredi të shtohet si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha, si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues.

Ky zhvillim pritet të mbështetet nga stabilizimi makroekonomik dhe pritshmëritë për ulje graduale të normave të interesit gjatë vitit 2026. /

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular