HomeAktualitetShqipëria në SEPA, për dërgesat prej 1 mijë euro komisionet ishin deri...

Shqipëria në SEPA, për dërgesat prej 1 mijë euro komisionet ishin deri në 40 euro, ndërsa tani jo më shumë se 2 euro

Advertismentspot_img

Transferimi i një shume prej 1,000 eurosh drejt ose nga Shqipëria më parë shoqërohej me komisione që varionin nga 10–15 euro deri në 40 euro. Tashmë që Shqipëria është ndër vendet më të reja që i janë bashkuar sistemit të pagesave SEPA (Single Euro Payments Area) — një nismë e Bashkimit Europian që standardizon pagesat ndërkufitare, duke garantuar të njëjtat rregulla, standarde dhe kosto për 41 vende anëtare — tarifa për një transfertë të tillë nuk i kalon më 2 eurot. Përmes SEPA-s, qytetarët shqiptarë mund të dërgojnë dhe të marrin pagesa në euro me të njëjtat kushte si qytetarët e vendeve të BE-së, si për tarifat, ashtu edhe për kohën e përpunimit dhe standardet e sigurisë.

“Përdorimi i kanaleve tradicionale përmes bankave korrespondente për pagesat ndërkufitare me vendet e BE-së ka qenë i kushtueshëm dhe i ngadalshëm. Procesi përfshinte disa aktorë në dërgimin e pagesave, duke sjellë si pasojë shumë komisione ndërmjetëse, shpesh të larta. Për shkak të këtyre hallkave të shumta, përpunimi i një pagese mund të zgjaste deri në tre ose katër ditë, dhe nëse përfshiheshin fundjavat, edhe më gjatë. Gjurmimi i pagesave bëhej gjithashtu më i vështirë, në varësi të territorit ku ndodheshin bankat dhe legjislacionit që rregullonte aktivitetet e tyre,” shpjegon Ledia Bregu, Drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë.

Bashkimi Evropian ka luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në SEPA. Komisioni Evropian i mundësoi vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor të aplikonin për anëtarësim në SEPA dhe përfshiu pranimin e Shqipërisë si një shtyllë kyçe të Planit të Rritjes për rajonin. Kjo e ngriti SEPA-n në nivel prioriteti kombëtar, duke nxitur bashkëpunim të shpejtë mes institucioneve shqiptare. Banka e Shqipërisë, e cila tashmë kishte harmonizuar legjislacionin për pagesat me standardet e BE-së, dorëzoi aplikimin në qershor 2024 dhe mori miratimin në nëntor. Gjatë gjithë procesit, Komisioni Europian dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri kanë ofruar mbështetje teknike dhe financiare të vazhdueshme, përfshirë përmes projektit të Modernizimit të Pagesave në Ballkanin Perëndimor të udhëhequr nga Banka Botërore.

Me SEPA-n, të njëjtat rregulla zbatohen për bankat dërguese dhe pritëse në të gjitha 41 vendet evropiane. Përveç tarifave ndjeshëm më të ulëta për të dy palët, transfertat ekzekutohen brenda ditës së punës pasuese, dhe në shumë raste përfundojnë në të njëjtën ditë, veçanërisht nëse nisen herët. Ky standard përpunimi është një nga rregullat themelore të skemës SEPA dhe zbatohet në mënyrë uniforme nga të gjitha bankat anëtare, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Para integrimit në SEPA, transfertat hyrëse në euro përballeshin me tarifa të larta, që fillonin nga 10 euro dhe arrinin deri në 50–100 euro.

“Ne kemi vendosur një tavan për tarifat e pagesave hyrëse. Ato nuk mund të kalojnë 3 euro, pavarësisht shumës së pagesës,” shpjegon Bregu. “Banka e Shqipërisë ka rishikuar kufijtë e komisioneve për pagesat SEPA, duke i përafruar me tarifat e transfertave të brendshme në euro. Pas nisjes operacionale të transfertave SEPA, ato u ulën edhe më tej. Konkretisht: për pagesa deri në 20,000 euro, tarifa nuk i kalon 2 eurot; për pagesa nga 20,000 deri në 100,000 euro, komisioni nuk mund të jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transaksionit; për pagesa mbi 100,000 euro, tarifa është e kufizuar në 25 euro. Edhe tarifat për pagesat hyrëse janë të rregulluara dhe nuk mund të kalojnë 3 euro, pavarësisht shumës. Në përgjithësi, kostot e pagesave janë rreth dhjetë herë më të ulëta se më parë.”

Përdorimi i skemës SEPA pritet të sjellë kursime prej rreth 20 milionë eurosh për bizneset dhe konsumatorët gjatë vitit të parë, duke përfituar çdo ndërmarrje tregtare dhe çdo qytetar me angazhime financiare jashtë vendit — si studentët, punëtorët emigrantë, familjet që marrin remitanca, apo individët që bëjnë blerje dhe transaksione ndërkombëtare. Kjo sjell ulje të kostove, shërbime më të shpejta dhe përfshirje më të gjerë financiare, sidomos duke pasur parasysh se shumica e remitancave drejt familjeve shqiptare (rreth 80%) vijnë nga vendet e BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është gjithashtu pjesë e SEPA-s.

Sipas znj. Bregu, përfitimet e SEPA-s nuk kufizohen vetëm te shpejtësia e transfertave dhe ulja e komisioneve. Skema ndihmon në krijimin e një sistemi pagesash efikas dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria dhe përmirëson imazhin ndërkombëtar të vendit. Integrimi në SEPA nxit zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, u jep bizneseve shqiptare — veçanërisht eksportuesve, operatorëve të turizmit dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme — akses të barabartë në tregun europian të pagesave, përmirëson likuiditetin, rrit parashikueshmërinë e flukseve monetare dhe forcon stabilitetin financiar në tërësi. Për më tepër, kjo ndihmon në uljen e informalitetit në transaksionet financiare dhe përgatit bankat shqiptare për fazën e ardhshme të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular